Rrëzimi i vinçit në Prishtinë, Prokuroria ndalon tre persona dhe nis hetimet
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin që ka ndodhur sot në një vendpunishte te rruga “A” në Prishtinë, ku është rrëzuar vinçi dhe për pasojë ka humbur jetën një punëtor dhe një tjetër është lënduar. Ata kanë thënë se janë njoftuar sot rreth orës 15:00 dhe menjëherë kanë dal në…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin që ka ndodhur sot në një vendpunishte te rruga “A” në Prishtinë, ku është rrëzuar vinçi dhe për pasojë ka humbur jetën një punëtor dhe një tjetër është lënduar.
Ata kanë thënë se janë njoftuar sot rreth orës 15:00 dhe menjëherë kanë dal në vendngjarje bashkë me Policinë e Kosovës, Njësinë Rajonale të Hetimeve, dhe Inspektoratin e Punës, me qëllim të ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë angazhuar ekspertë të pavarur të sigurisë në punë, si dhe një ekspert i inxhinierisë mekanike. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes janë siguruar prova materiale, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësia e forenzikës. Ndërkohë, janë intervistuar dëshmitarët okularë dhe personi i lënduar, i cili është duke marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Si pasojë e këtij aksidenti, një person me inicialet E.Sh. ka humbur jetën, ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore”, ka njoftuar Policia.
Prokuroria ka iniciuar hetimet për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi.9 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe ‘’Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’’, nga neni 358, paragrafi.7 i KPRK-së.
“Bazuar në dyshimet fillestare dhe provat e siguruara deri në këtë fazë të procedurës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar tre persona me inicialet A.Sh., nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘’Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’’, si dhe B.S., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë ndërtuese, dhe E.E., në cilësinë e personit të kompanisë investuese të projektit , nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘’Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’’, nga neni 358, paragrafi.7 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë kërkesën për caktimin e ndonjërën prej masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, si dhe do t’i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka njoftuar Prokuroria. /Lajmi.net/