Profesori Maloku: LDK po kalon një sprovë ekzistenciale, jo vetëm një garë për kryetar – Kuvendi është një test për ta rikthyer besimin politik
Lidhja Demokratike e Kosovës, të enjten do të mbaj Kuvendin e Përgjithshëm të Partisë, i cili është thirrur me kërkesën e delegatëve për të vendosur në lidhje me kryesinë e kësaj partie, shkarkimin ose jo të liderit të partisë, Lumir Abdixhikut. Në lidhje me këtë “krizë” të LDK-së, për lajmi.net ka folur profesori universitar dhe…
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës, të enjten do të mbaj Kuvendin e Përgjithshëm të Partisë, i cili është thirrur me kërkesën e delegatëve për të vendosur në lidhje me kryesinë e kësaj partie, shkarkimin ose jo të liderit të partisë, Lumir Abdixhikut.
Në lidhje me këtë “krizë” të LDK-së, për lajmi.net ka folur profesori universitar dhe sociologu Fadil Maloku.
Ai ka thënë se bazuar në informacionin e fundit ku kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka pranuar kërkesën për llogaridhënie, sipas Malokut është edhe një lloj satisfaksioni jo vetëm moral, por edhe politik për të gjithë votuesit e këtij subjekti por edhe për publikun e gjerë.
Sipas Malokut, i gjithë pluhuri i ngritur për suksesin apo mos-suksesin e tij si lider dhe të LDK-së si subjekt me traditë të gjatë politike nuk është i rastishëm.
“Në fakt, pyetja thelbësore në rastin për të cilin po flasim nuk është vetëm nëse Lumir Abdixhiku duhet apo jo të japë dorëheqje, por nëse problemi i kësaj plandosjeje sistematike të LDK-së është produkt i paaftësisë së Lumirit dhe mungesës së karizmës së tij për ta gjetur formulën e duhur për fitore politike, apo nëse problemet duhet të adresohen diku tjetër, si p.sh. te rishqyrtimi i modelit dhe i narrativës së organizimit të të gjitha strukturave partiake. Nga ana tjetër, është tejet pozitive që LDK-ja këtë insistim të disa degëve superiore duhet ta shohë edhe si një lloj “sprove hamletiane”, madje edhe ekzistenciale, për ta testuar si madhështinë e saj të dikurshme (që operonte si një lloj “federate” politike), ashtu edhe vogëlësinë e saj të sotme (që operon si një lloj “konfederate” politike), përmes organeve të saj të bazuara në Statutin e vet”, ka thënë Maloku për lajmi.net.
Ai ka thënë se akti i insistimit për dorëheqjen ose mosdorëheqjen e mundshme të kryetarit të LDK-së, nuk është ndonjë kërkesë apo insistim i menjërshëm nga individë ose grupe interesi brenda vetë këtij subjekti.
Sipas tij është një tagër që vetë Lumiri e ka promovuar vazhdimisht publikisht, në rast se nuk arrin ta rrisë kuotën elektorale.
“Megjithatë, për ta argumentuar sociologjikisht këtë konstatim, duhet paraprakisht të parashtrojmë disa hipoteza analitike e sociologjike.
E para, ajo që mund të adresohet rreth kësaj tematike ka të bëjë me krizën e thellë të legjitimitetit politik që është duke e përcjellë këtë subjekt, ku pothuajse të njëjtat klane zhvillojnë beteja për marrjen e primatit dhe legjitimitetit politik. Një pjesë e anëtarësisë, por edhe e opinionit të gjerë publik, ka filluar të bindet se rezultatet në të gjitha këto palë zgjedhje nuk po përputhen askund me pritjet, me planet e as me narrativën e ndonjë fitoreje, qoftë edhe “fitore të Pirros”, të këtij subjekti me historinë më të gjatë politike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Të paktën kështu flet logjika e përgjegjësisë politike.
E dyta, lidershipi aktual i këtij subjekti, por edhe vetë kryetari, madje edhe publiku i gjerë, duhet ta kuptojnë se në demokracitë bashkëkohore suksesi dhe dështimi shpesh i atribuohen individit dhe jo organizatës. Në secilën parti politike bashkëkohore, figura e kryetarit është “lokomotiva” simbolike e të gjitha kënaqësive e pakënaqësive, sukseseve e dështimeve, por edhe e fitoreve apo humbjeve në një cikël të caktuar zgjedhor.
E treta, dorëheqja e kërkuar, pa asnjë dyshim, duhet parë edhe si narrativë e një pjese të konkurrencës brenda vetë partisë, e cila bën plane si për kontrollin e partisë, ashtu edhe për pozicionet e saj, gjë që është një e drejtë legjitime në çdo parti politike bashkëkohore. Tekefundit, ndërrimi i elitave politike, sipas Vilfredo Pareto-s, por edhe Gaetano Mosca-s, është një proces jo vetëm i shëndetshëm për partitë politike, por edhe i domosdoshëm, sepse ua rikujton liderëve përgjegjësinë që kanë si për dështimet, ashtu edhe për sukseset”, ka thënë Maloku për lajmi.net.
Për këtë Kuvend, ai ka thënë se nuk është thjeshtë një proces zgjedhor brenda LDK-së por edhe një test i aftësisë së saj për ta rikthyer kohezionin organizativ dhe besimin e humbur politik.
“Në këtë situatë, kujtoj se, më shumë se emrat, rëndësi do të ketë mesazhi që Kuvendi do t’i dërgojë elektoratit dhe gjithë skenës politike”, ka shtuar Maloku.
Kuvendi i Përgjithshëm i LDK-së do të mbahet të enjten më 30 korrik në ora 18:00. /Lajmi.net/