Ramë Buja: Nuk e dinim se “Mësuesja e Vitit” është e PDK’së
Ministri i Arsimit, Ramë Buja, thotë se gjendja në UP është e qetë. Ai pret që javën tjetër KD të zgjedhë Ushtruesin e detyrës së Rektorit. Thotë se mësuesi kosovar ka një jetë të dinjitetshme dhe se ngritja e pagës do “t’i disponojë” më shumë mësuesit.
Lajme
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe teknologjisë, Damë Buja, ka thënë se nuk ka pasur informacion që laureatja e sivjetme e Çmimit Vjetor “Shaban Jashari”, Beatrisa Demiri, është anëtare e Asamblesë Komunale të Rahovecit nga PDK.
Emiri mori dje këtë çmim nga Ministri Ramë Buja për nder të 7 Marsit, Ditës së mësuesit, dhe mediat menjëherë raportuan për lidhjen e saj me partinë që drejton komunën e Rahovecit dhe Qeverinë e Kosovës.
Por Ministri Buja ka thënë sot në Programin e Mëngjesit në RTK se Ministria nuk ka pasur informacion për këtë.
“Kjo më bëri përshtypje sepse e pash në media sot dhe kjo është për tu qeshur sepse në asnjë mënyrë ne nuk e dinim hiç që ishte nga radhët tona”.
“Besoj se kjo gjë nuk i ka interesuar as Komisionit. Është çështje e CV’së, e performancës që ka dëshmuar dhe prandaj është fituar ai shpërblim”, ka thënë Buja.
Buja ka vlerësuar se gjendja në Universitetin e Prishtinës është më e qetë dhe gradualisht është duke iu kthyer normalitetit.
“Aktualisht gjendja konsideroj se është qetësuar. Po bjen drejt normalitetit që do të duhej të ishte dhe besoj që tani më është plotësuar edhe Këshilli Drejtues dhe ai këshill ka për detyrë që të zgjedh një ushtrues detyre të Rektorit”.
“Besoj që javën tjetër do të kemi një Ushtrues Detyre të Rektorit”.
Buja thotë se ndikimi politik në arsim në përgjithësi është i paevitueshëm. Por ai tha se po bën përpjekje që ndikimi politik të jetë zero.
“Realisht ju kisha kërkuar që të më ndihmojnë që të gjej një njeri apolitik në Kosovë”.
“Unë sinqerisht jam i interesuar që në Universitetin e Prishtinës, ndikimi i politikës të jetë zero, mundësisht edhe pse nuk është ashtu, sepse kemi ndikime politike gjithandej edhe në vendet tjera”.
“Do të duhej të gjithë të bënim përpjekje për veten tonë, duke qenë të vetëdijshëm se sa më larg politika nga shkolla dhe Universiteti. Duhet të shohim nivelin cilësinë dhe të tjerat vijnë pastaj që janë krejtësisht të parëndësishme”.
Ministri Ramë Buja thotë se rritjen e pagave që është proklamuar nga Qeveria, mësuesi kosovar do të ketë një jetë më të dinjitetshme. Ai tha se për përqindje të ngritjes së pagave nuk mund të flas.
“Unë nuk mund të ju flas për përqindje. Besim Beqaj do të ju fliste më mirë me përqindje. Por unë mund të them se do të jetë një rritje që do të avancojë seriozisht pagën edhe të mësimdhënësve dhe të të gjithë shërbyesve civil. Dhe kjo do të bëj që ata të jenë në një disponim më të mirë për të bërë mësimdhënie”.
Duke qenë se sot shënohet festa e mësuesit, Ministri Buja tha se mësuesit nuk kanë qenë asnjëherë në një pozicion më të mirë. Ai tha se vlen shumë punë për tu bërë.
Mos të kishin qenë ngjarjet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Buja mendon se ky vit do të karakterizohej shumë i mbarë për arsimin e Kosovës.
“Thënë shkurt asnjëherë më mirë se sa janë tash. Po a kemi për të bërë akoma? Kemi për të bërë edhe shumë”.
“Pozicioni i mësuesit sot është nj pozicion i një mësuesi me dinjitet, me një pagë solide që krahasohet me rajonin. Mendoj se këto gjëra duhet të avancohen në kuptimin pozitiv edhe në nivelin e pagave edhe në nivelin e ndërtimit të shkollave dhe me të gjitha të tjerat”.
“Po të mos ndodhnin disa gjëra disa dritë-hije që i ranë arsimit në Kosovë për faktin e asaj që ndodhi në UP, ne do të përjetonim një gëzim shumë të madh të të gjitha fazave, edhe 7 marsin edhe festave të tjera. Por ndodhi diçka që më shumë nga ngjyrim dhe nuancë politike sesa esenciale”, tha Ministri Ramë Buja për RTK.