PSG dhe Amiens ndajnë pikët në ‘dramën e tetë golave’

Paris Saint Germain ka treguar se është një skuadër që nuk dorëzohet asnjëherë.

Sport

15/02/2020 19:26

Në ndeshjen e xhiros së 25-të në Ligue 1, PSG kanë bërë një rikthim fenomenal kundër Amiens për të marrë në fund një pikë , pasi fillimisht gjenin vetën në disavantazh 3:0, shkruan lajmi.net.

Amiens kaluan në epërsi qysh në minutën e 5’ të këtij takimi, me golin e Sehrou Guirassy, kurse në minutën e 29’, vendasit dyfishuan epërsinë me Gael Kakuta.

Fousseni Diabate shënoi për 3:0 pesë minuta para fundit të pjesës së parë, për t’i bërë të gjithë të mendojnë se dilema për fituesin mori fund.

Por, PSG tregoi shenja jete qysh në fundin e pjesës së parë, kur Ander Herrera shënoi për 3:1, që ishte rezultati final i pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, PSG shënoi edhe tri herë të tjera, për përmbysjen spektakolare. Fillimisht ishte Nianzou Kouassi, i cili në minutën e 60’ rihapi seriozisht sfidën, duke shënuar për 3:2.

Pesë minuta më vonë, i njëjti lojtar shënoi për 3:3, duke vënë në heshtje tifozërinë vendase.

Mauro Icardi ngriti në qiell tifozët e PSG, kur në mintuën e 74′ shënoi për 3:4, duke bërë të mendojnë të gjithë se një përmbysje e madhe u kompletua. Por, Amiens gjeti forcat për të reaguar edhe një herë, dhe me anë të Guirassy shënuan për rezultatin final 4:4.

Me këtë barazim, PSG shkon në 62 pikë, i pashqetësuar në krye të Ligue 1, kurse Amiens numëron 21 pikë në pozitën e parafundit në tabelë. /Lajmi.net/