Presidencës i skadon sot afati për dekretim të Kryeprokurorit të Shtetit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka afat edhe të mërkurën (sot) për të dekretuar Kryeprokurorin e Shtetit.

Lajme

11/03/2015 07:42

Me Rregulloren për procedurën e emërimit/riemërimit të kandidatëve të propozuar për prokurorë, të nxjerrë nga sekretari i Zyrës së Presidencës në vitin 2011, përgatitja e dekretit parashihet të bëhet brenda 15 ditësh prej momentit që Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e dërgon kandidatin për dekretim.

Megjithatë, zyrtarë nga Presidenca, në bazë të përgjigjes që ia kanë dhënë “Kohës Ditore”, kanë lënë të kuptojnë se nuk do ta përfillin këtë rregullore të nxjerrë nga po ky institucion, porse do ta respektojnë Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Ndryshe prej tyre, anëtarë të Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë thënë se për këtë rregullore nuk kanë dëgjuar më parë dhe se presidentja e Republikës, sipas tyre, duhet ta respektojë.