Përkrahësit kriptovalutave e quajnë “diktatorial” vendimin e Qeverisë, nisin peticion
Përkrahës të prodhimit dhe këmbimit e tregtimit të kriptovalutave e kanë konsideruar të dëmshëm vendimin e Qeverisë në aspektin ekonomik, duke e cilësuar atë si “diktatorial”. Për këtë gjë, ata kanë filluar një peticion për zhbërjen e vendimit.
Auto & Tek
Përfaqësuesi kryesor i komunitetit “Wallstreetbets Al Chat”, grup ky me më se tre mijë anëtarë, ka dërguar një reagim në adresë të lajmi.net, duke kërkuar rishqyrtim të vendimit të Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave.
“Pasi që të gjithë njohësit e tregut dhe poseduesit e Crypto po reagojnë që t’gjithë e shoh si një obligim nga ana e imë të reagoj tek Qeveria e Kosovës për vendimin e marrë për ndalesën e miningut në Kosovë. Pasi që ky lajm është bërë në trend botror i lutëm Qeverisë të Kosovës të mendoj mirë për këtë vendim pasiqë do ndikoj ekonomikisht tek miners që do t’i dëmtoj ata”, thuhet në reagim.
“Në emer të t’gjithëve Miners që bëjnë Mining dhe si përkrahës i Kripto valutave i lutem Qeverisë të Kosovës të mos e realizoj këtë vendim diktatorial kurse përkundrazi minierat e kriptomonedhave konsiderohet të jenë një nga bizneset më fitimprurëse në epokën moderne”, potencohet më tej në reagim.
Karshi kësaj çështjeje, ky grup ka nisur një peticion për të shprehur pakënaqësinë e tyre.
“Duke marrë parasysh se ne si komunitet dëmtohemi nga ndalja e miningut, dëshirojmë të shprehim paknaqësinë drejtuar Qeverisë së Kosovës për vendimin e ndaljës së miningut në Kosovë me forma demokratike”, thuhet në peticion.
Qeveria e Kosovës përgjatë ditës së djeshme ka marrë vendim që të anulojë veprimtarinë e prodhimit të kriptovalutave për shkak të gjendjes emergjente të energjisë.
Një gjë të tillë e ka njoftuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me anë të një postimi në ‘Facebook’, duke thënë se vendimi është marrë pas rekomandimit të Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës me furnizim të energjisë”.
“Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në postimin e saj. /Lajmi.net/