Koreja e Veriut mohon përfshirjen në sulmin prej 6.3 miliardë dollarësh ndaj Binance
Koreja e Veriut ka mohuar akuzat se qëndron pas sulmit kibernetik ndaj platformës së kriptovalutave Binance, nga i cili u vodhën 6.3 miliardë dollarë. Kim Yo Jong, motra e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i ka cilësuar akuzat amerikane si “retorikë absurde”, duke thënë se ato synojnë dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të…
Auto & Tek
Koreja e Veriut ka mohuar akuzat se qëndron pas sulmit kibernetik ndaj platformës së kriptovalutave Binance, nga i cili u vodhën 6.3 miliardë dollarë.
Kim Yo Jong, motra e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i ka cilësuar akuzat amerikane si “retorikë absurde”, duke thënë se ato synojnë dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të Phenianit.
Sipas BBC-së, Byroja Federale e Hetimeve (FBI), Shërbimi Sekret amerikan dhe analistët e sigurisë kibernetike kanë deklaruar se Koreja e Veriut qëndron pas sulmit, i cili është përshkruar si vjedhja më e madhe e kriptovalutave në histori.
Hetuesit amerikanë dhe analistët e teknologjisë blockchain ia kanë atribuuar sulmin grupit të hakerëve TraderTraitor, i njohur edhe si Lazarus Group, që dyshohet se mbështetet nga shteti koreano-verior.
FBI u ka bërë thirrje kompanive të industrisë së kriptovalutave të ndihmojnë në bllokimin e transaksioneve që lidhen me llogaritë e këtij grupi.
Kim Yo Jong, e cila mban postin e drejtoreshës së Departamentit të Çështjeve të Përgjithshme në Korenë e Veriut, ka kundërshtuar akuzat.
“SHBA-ja ka bërë sërish një provokim të konsumuar duke e lidhur atë me Republikën Popullore Demokratike të Koresë”, ka deklaruar ajo.
“Është një provokim i rëndë politik kundër vendit tonë që SHBA-ja mashtron opinionin publik ndërkombëtar, sikur të gjitha krimet kibernetike në pjesë të ndryshme të botës të jenë vepra tona”, ka shtuar Kim.
Ajo ka theksuar se qëndrimi i vazhdueshëm i qeverisë së Koresë së Veriut është kundërshtimi i të gjitha veprimeve keqdashëse në hapësirën kibernetike.
Pheniani është akuzuar edhe më parë për sulme të mëdha kibernetike, përfshirë vjedhjen prej 1.5 miliardë dollarësh nga platforma Bybit gjatë vitit 2025. Autoritetet koreano-veriore i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza.
Sipas studiuesve të sigurisë, Koreja e Veriut ka zhvilluar prej vitesh kapacitetet e saj kibernetike, duke rekrutuar studentë të talentuar dhe duke i përfshirë në njësi të specializuara që dyshohet se mbikëqyren nga shërbimet e inteligjencës.
Ndërkohë, Binance ka njoftuar se hetimet fillestare tregojnë se kompjuteri portativ i një inxhinieri ishte komprometuar, duke u mundësuar sulmuesve të kryenin tërheqje të paautorizuara të aseteve digjitale.
Platforma ka rifilluar tregtimin e kriptovalutave kryesore, pasi ka bashkëpunuar me emetuesit për ngrirjen e aseteve të prekura nga sulmi.
Sipas të dhënave të publikuara të martën nga Binance, që nga rifillimi i transaksioneve të dielën janë regjistruar tërheqje neto prej 5.27 miliardë dollarësh, ndërsa kompania ka deklaruar se aktiviteti tashmë është stabilizuar.
Binance ka përsëritur zotimin se do të mbulojë të gjitha humbjet e shkaktuara nga sulmi, duke bërë të ditur se deri më tani ka kompensuar rreth 95% të aseteve të vjedhura.