Pa shofer, por gati për luftë: Renault zbulon “bishën” ushtarake që bart deri një ton ngarkesë
Gjiganti francez i automobilave Renault, në partneritet me kompaninë belge John Cockerill, ka prezantuar një projekt të ri të një automjeti robotik elektrik, të destinuar për përdorim ushtarak dhe civil. I emëruar “Forefront Concept”, automjeti është projektuar për të operuar në distancë në terrene të vështira dhe zona me rrezik të lartë, me synimin për…
Auto & Tek
Gjiganti francez i automobilave Renault, në partneritet me kompaninë belge John Cockerill, ka prezantuar një projekt të ri të një automjeti robotik elektrik, të destinuar për përdorim ushtarak dhe civil.
I emëruar “Forefront Concept”, automjeti është projektuar për të operuar në distancë në terrene të vështira dhe zona me rrezik të lartë, me synimin për të zvogëluar ekspozimin e drejtpërdrejtë të ushtarëve ndaj rrezikut, transmeton lajmi.net.
Platforma e re mund të përdoret për transportin e pajisjeve dhe furnizimeve, zbulim, mbështetje të operacioneve ushtarake, si dhe evakuimin mjekësor. Ajo parashihet të ketë rol edhe në operacionet e mbrojtjes civile dhe ndërhyrjet në zona të rrezikshme.
Sipas specifikimeve të publikuara nga dy kompanitë, “Forefront” do të pajiset me dy motorë elektrikë, sistem të tërheqjes në të katër rrotat dhe drejtim në të katër rrotat. Ai do të mund të bartë ngarkesë deri në një ton dhe të përshkojë rreth 400 kilometra, me mundësi të zgjerimit të autonomisë përmes një sistemi shtesë.
Një tjetër veçori e platformës është aftësia për të përballuar terrene të vështira, përfshirë pjerrësi deri në 60 për qind.
Projekti përfshin gjithashtu zhvillimin e teknologjisë së telekomandimit dhe funksioneve autonome, me synimin që automjeti në të ardhmen të jetë në gjendje të lëvizë në mënyrë të pavarur, pa pasur nevojë për kontroll të vazhdueshëm nga një operator.
Renault është marrë me projektimin e platformës dhe teknologjinë elektrike, ndërsa John Cockerill ka kontribuar me ekspertizën në sistemet e telekomandimit, autonomisë dhe përshtatjen për përdorim ushtarak.
Sipas njoftimit të kompanive, “Forefront Concept” është zhvilluar me kontributin e Forcave të Armatosura të Francës. Në javët në vijim pritet të marrë pjesë në ushtrime dhe testime në terren, për të vlerësuar performancën dhe për të përsosur konceptin.
Deri më tani, kompanitë nuk kanë bërë të ditur një datë konkrete për fillimin e prodhimit serik të automjetit./lajmi.net/