Penallti e pastër për Brazilin

Presidenti i FIFA-së, Sepp Blatter mbron gjyqtarin Yuichi Nishimura dhe thotë se japonezi mori vendimin e drejtë kur akordoi penallti për Brazilin në ndeshjen kundër Kroacisë në Grupin A të Kampionatit botëror.

Sport

14/06/2014 17:49

Presidenti i FIFA-së, Sepp Blatter ka thënë se gjyqtari japonez Yuichi Nishimura vendosi mirë kur akordoi penallti për Brazilin në fitoren 3:1 ndaj Kroacisë në ndeshjen e parë të Grupit A në Kampionatin botëror.

Sulmuesi Fred u rrëzua brenda zonës pas një dueli me mbrojtësin kroat Dejan Lovren dhe Nishimura bëri me shenjë tek pika e bardhë prej ku shënoi Neymar, për avantazhin 2:1.

“Gjyqtari bëri mirë që akordoi penallti. Fred ishte i tërhequr brenda zonës”, deklaroi Blatter, sa i përket rastit më të përfolur deri më tani gjatë këtij Kampionati botëror.

“Ndeshja ishte e baraspeshuar deri në fund, jam i lumtur sepse kualiteti i këtij Botërori është i shkëlqyeshëm. Kemi zhvilluar disa ndeshje dhe ka befasi”, u shpreh ai.