24 vatra zjarri në Shqipëri, 4 aktive dhe 5 nën mbikëqyrje

Ministria e Mbrojtjes ka informuar se deri në orën 20:00 të ditës së sotme në rang vendi janë raportuar 24 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive, ndërsa 5 vatra janë nën mbikëqyrje. Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar edhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 1 helikopter. Vatrat aktive janë: * Qafë…

Lajme

26/08/2026 23:59

Ministria e Mbrojtjes ka informuar se deri në orën 20:00 të ditës së sotme në rang vendi janë raportuar 24 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive, ndërsa 5 vatra janë nën mbikëqyrje.

Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar edhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 1 helikopter.

Vatrat aktive janë:

* Qafë e Helmës, Bulqizë – vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në terren janë angazhuar 23 forca operacionale nga MZSH Bulqizë dhe strukturat bashkiake. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Mali i Dardhës, Librazhd – zjarri vijon të djegë në brendësi, kryesisht në humus dhe trungje të dekompozuara. Nuk rrezikohen banesa.

* Mali i Qukësit, Prrenjas – vijon puna për shuarjen e trungjeve të rrëzuara dhe bimësisë së ulët brenda vatrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Drashovicë, Selenicë – vijon puna për shuarjen e zjarrit në sipërfaqe pyjore me shkurre, me 1 mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë të MZSH Selenicë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, situata paraqitet e përmirësuar në vatrat e tjera. Në Malin e Dajtit, reshjet e shiut izoluan vatrat dhe zona do të mbahet nën mbikëqyrje; gjatë ditës u angazhuan 38 forca operacionale bashkiake dhe 50 efektivë të FA-së.

Në Sarandë, zjarri në kurorën e qytetit është vënë nën kontroll pas një angazhimi të gjerë të MZSH-ve, Policisë, FNSH-së, forcave bashkiake dhe 1 helikopteri të FA-së, ndërsa zona vijon të mbahet nën mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve. /TCH