Osmani i ofron ndihmën e saj Presidentes së re në fillim të mandatit, tregon pse nuk morën pjesë në votim
Ish-Presidentja e Kosovës, tash deputete e LDK-së, Vjosa Osmani ka uruar për detyrën e saj Presidenten e zgjedhur sot, Justina Shiroka Pula. Ajo ka thënë se shpresa e saj ka qenë që Presidentja e ardhshme të jetë grua dhe i vjen mirë që kjo ka ndodhur. Osmani i ka ofruar ndihmën e saj në sfidat…
Lajme
Ish-Presidentja e Kosovës, tash deputete e LDK-së, Vjosa Osmani ka uruar për detyrën e saj Presidenten e zgjedhur sot, Justina Shiroka Pula.
Ajo ka thënë se shpresa e saj ka qenë që Presidentja e ardhshme të jetë grua dhe i vjen mirë që kjo ka ndodhur.
Osmani i ka ofruar ndihmën e saj në sfidat e para të Shiroka Pulës si Presidente.
“I uroj shëndet dhe shumë suksese në kryerjen e detyrave të saj, në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese të cilat janë të shumta për Presidenten, e që natyrisht do të jenë shumë sfiduese. Në këto sfida mund të llogaris në mbështetjen time të përhershme duke u bazuar në përvojën dhe punën që kemi bërë gjatë mandatit paraprak, për çdo çështje që është në interes të Republikës së Kosovës. do të jemi aty për të mbështetur institucionet”, ka thënë Osmani.
Ajo ka treguar pse nuk kanë marrë pjesë në votim.
“Ne kemi pasur kandidatin tonë, Bekim Sejdiun. Kandidatja e sotme nuk ka qenë në marrëveshje me LDK-në dhe kemi pasur pozicion politik të partisë që të votojmë vetëm kandidatin e partisë sonë. Por, natyrisht si institucionalist që jemi e kemi respektuar institucionin dhe dëshirojmë vetëm suksese për Republikën e Kosovës. Është mirë që do të kemi stabilitet institucional dhe ne rolin tonë do ta luajmë ashtu siç kemi premtuar”, ka thënë Osmani.
Ajo ka treguar cilat janë sfidat me të cilat mund të përballet Presidentja e re.
“Institucioni i Presidentit ka një sërë kompetencash që përfshin përfaqësimin e unitetit të popullit, përfaqësimin e vendit brenda dhe jashtë, udhëheqjen e politikës së jashtme, mbrojtjen e integritetit territorial të vendit. Të gjitha këto duke i ditur sfidat me të cilat ballafaqohet Republika e Kosovës, nuk do të jenë të lehta. Shpresoj shumë që do ti kryej ato me nder dhe përgjegjësi ndaj Kushtetutës, Republikës dhe qytetarëve”, ka shtuar Osmani. /LAjmi.net/