Ndaleni Dacicin
Vetëvendosje thotë se Qeveria e Kosovës po lejon që “krimineli të kthehet në vendin e krimit”, duke iu referuar lejimit të vizitës së Kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic, në Kosovë.
Lajme
Vetëvendosje vazhdon ta kundërshtojë një vizitë eventuale të Kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic në Kosovë.
Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri nga kjo Lëvizje kanë dalë sot në konferencë për shtyp për ta shprehur kundërshtimin e tyre ndaj paralajmërimeve se Dacic mund të vijë në Kosovë.
Për ta, Kryeministri serb nuk duhet të lejohet ta shkelë territorin e Kosovës, as gjatë fushatës, as pas saj, derisa Serbia ta njohë Kosovën e pavarur.
Sipas Vetëvendosjes, Kryeministri Hashim Thaçi nuk e mbajti premtimin e dhënë për ndalesën e zyrtarëve serbë.
“Ai (Thaçi) tha se zyrtarëve serbë do t’u ndalohet hyrja në Kosovë përgjatë gjithë fushatës elektorale. Nuk shkoi asnjë javë e plotë dhe Kryeministri Thaçi u takua në Bruksel me Ivica Dacicin. Dhe ashtu sikurse me shumicën e premtimeve të tij, për të mos thënë me të gjitha premtimet e tij, Kryeministri Thaçi i ndërroi fjalët, u dorëzua përpara trysnisë, e mashtroi popullin dhe e shkeli premtimin”, tha Konjufca, i cili është edhe Anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
“Lëvizja Vetëvendosje e mbron qëndrimin se zyrtarëve serbë duhet t’u ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës, jo vetëm gjatë zgjedhjeve por deri në momentin kur Serbia do ta njohë shtetin e Kosovës dhe kur të fillojë aplikimi i parimit të reciprocitetit.”
“Disa zyrtarëve serbë si puna e Kryeministrit Dacic ose e Presidentit të Serbisë Nikolic, këtyre duhet t’u ndalohet hyrja në Kosovë sa të jenë gjallë sepse ata ishin pjesë aktive e makinerisë përgjegjëse shtetërore gjenocidale të Serbisë kundër popullit shqiptarë të Kosovës”, u shpreh Glauk Konjufca.
Ndërsa Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se Dacic po vjen këtu që ta përkrahë një listë serbe pas së cilës qëndron vetë shteti i Serbisë.
“Në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit nuk po marrin pjesë serbët e Kosovës, por po merr pjesë drejtpërdrejt Serbia. Ivica Dacic ka paralajmëruar se do të vijë të shtunën për të bërë fushatë dhe për t’u bërë thirrje që të votojnë listën prapa së cilës qëndron shteti serb.”
“Ardhja e Dacicit në Kosovë është liria e kriminelit që të kthehet në vendin e krimit i paprekur”.
“Krerët e Serbisë e duan instrumentalizimin të serbëve këtu për qëllimet e tyre të kontrollit faktik të pjesëve të caktuara të territorit.”
“Çfarëdo intervenimi politik i Serbisë brenda Kosovës shkon drejt dezintegrimit të serbëve nga jeta shoqërore dhe poltike në Kosovë”, tha Visar Ymeri