Ndahet nga jeta ish-inspektori i arsimit
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka njoftuar se sot ka ndërruar jetë ish-inspektori i arsimit, Habib Aliu. Sipas njoftimit zyrtar, i ndjeri ka dhënë kontribut të çmuar për shumë vite në zhvillimin e arsimit në vend, duke shërbyer me përkushtim si inspektor i arsimit, si dhe duke kontribuar edhe në sektorin e arsimit privat.…
Lajme
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka njoftuar se sot ka ndërruar jetë ish-inspektori i arsimit, Habib Aliu.
Sipas njoftimit zyrtar, i ndjeri ka dhënë kontribut të çmuar për shumë vite në zhvillimin e arsimit në vend, duke shërbyer me përkushtim si inspektor i arsimit, si dhe duke kontribuar edhe në sektorin e arsimit privat.
“Profesionalizmi, integriteti dhe angazhimi i tij i vazhdueshëm kanë ndikuar ndjeshëm në avancimin e sistemit arsimor dhe do të mbeten një frymëzim i qëndrueshëm për të gjithë”, thuhet në njoftim.
Habib Aliu ishte i përfshirë herët në çështjet kombëtare, duke qenë pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981 dhe bashkëthemelues i Sindikatës së Arsimit (SBASHK), çka dëshmon përkushtimin e tij ndaj arsimit dhe shoqërisë.
Ky është njoftimi i plotë i Ministrisë:
Me pikëllim të thellë njoftojmë se sot, më 20 mars 2026, ka ndërruar jetë kolegu ynë, Habib Aliu.
I ndjeri dha kontribut të çmuar për shumë vite në zhvillimin e arsimit në vend, duke shërbyer me përkushtim si inspektor i arsimit dhe duke kontribuar njëkohësisht edhe në arsimin privat.
Profesionalizmi, integriteti dhe angazhimi i tij i vazhdueshëm kanë ndikuar ndjeshëm në avancimin e sistemit arsimor dhe do të mbeten një frymëzim i qëndrueshëm për të gjithë.
I përfshirë herët në çështjet kombëtare, ai ishte pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981 dhe bashkëthemelues i Sindikatës së Arsimit, sot SBASHK, duke dëshmuar përkushtimin e tij të palëkundur ndaj arsimit dhe shoqërisë.
Rrugëtimin e tij profesional e nisi si profesor i Historisë deri në vitin 1996, për të vazhduar më pas si Këshilltar Pedagogjik në Këshillin e Arsimit të Prishtinës gjatë viteve 1996–2003.
Gjatë karrierës së tij, ai dha kontribute të rëndësishme në zhvillimin e politikave dhe iniciativave arsimore, ndër të cilat veçohen iniciimi i Rrjetit Shkollor Parauniversitar në vitin 2007, si dhe udhëheqja e projektit për parandalimin e braktisjes së shkollës nga nxënësit.
Po ashtu, ai ishte ideator dhe organizator i manifestimit mbarëkombëtar “Festa e Abetares”, duke promovuar rëndësinë e arsimit fillestar dhe të dijes.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Aliu, miqve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të.