Ndahen 1.9 milionë euro për rinovimin e stadiumit “Zahir Pajaziti”
Stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë do t’i nënshtrohet një rinovimi të rëndësishëm, falë një investimi prej 1.9 milionë eurosh të miratuar nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit. Lajmi është konfirmuar nga klubi futbollistik Llapi, i cili ka bërë të ditur se projekti përfshin ndërtimin e një tribune të re në anën…

Sport
Stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë do t’i nënshtrohet një rinovimi të rëndësishëm, falë një investimi prej 1.9 milionë eurosh të miratuar nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit.
Lajmi është konfirmuar nga klubi futbollistik Llapi, i cili ka bërë të ditur se projekti përfshin ndërtimin e një tribune të re në anën lindore, mbulimin e të gjitha tribunave ekzistuese si dhe instalimin e ndriçimit sipas standardeve të UEFA-s për kategorinë 3.
“Ky është një hap i madh drejt modernizimit të infrastrukturës sonë dhe krijimit të kushteve optimale për zhvillimin e ndeshjeve në oraret mbrëmjes, gjë që pritet të ndikojë në rritjen e prezencës së tifozëve në stadium,” thuhet në njoftimin e klubit llapjan.
KF Llapi ka shprehur falënderime për Kryeministrin Albin Kurti, Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrullah Çeku, si dhe për Qeverinë e Kosovës për përkrahjen ndaj futbollit në këtë komunë.
Ky investim vjen si nxitje e madhe për klubin, i cili synon organizim edhe më të fuqishëm dhe një skuadër konkurruese në arenën vendore.