Muharrem Sahiti flet për gjendjen e Zhegrovës dhe Muriqit – A do të luajnë sonte ndaj Irlandës V?

Kombëtarja e Kosovës do të përballet sonte me Irlandën e Veriut në ndeshjen e tretë në Ligën e Kombeve ku “Dardanëve” iu nevojiten tre pikë për te ruajtur hapin e pretendentëve për vendin e parë në grup.

Sport

09/06/2022 11:57

Në konferencën për media para ndeshjes, trajneri Alain Giresse deklaroi se sulmuesi Vedat Muriqi është në dyshim për këtë ndeshje dhe gjatë stërvitjeve të së mërkurës, sulmuesi nga Prizreni punoi i veçuar nga pjesa tjetër e skuadrës duke dëshmuar kështu se nuk është në kushtet më të mira për të luajtur.

Pikërisht nga stërvitja e djeshme erdhi edhe një lajm tjetër jo i mirë për trajnerin francez. FFK njoftoi se anësori sulmues Edon Zhegrova ka pësuar një lëndim dhe është larguar nga stërvitja.

Ndërkohë sot, pak orë para ndeshjes, drejtori sportiv i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti, ka thënë se paraqitja e të dy lojtarëve kundër Irlandës së Veriut është në pikëpyetje.

“Janë në pikëpyetje. Me lojtarët është ende duke u marr stafi mjekësorë, duke ua bërë ekzaminimet. Akoma nuk dihet nëse do të mund të luajnë. Gjithçka mbetet e pa qartë deri pak para fillimit të ndeshjes”, ka thënë Sahiti për KosovaPress. /Lajmi.net/