Me stadium modern e synime të qarta, Batatina flet për Llapin evropian
Megjithëse konsiderohet si njëri nga më të kompletuarit në Kosovë, stadiumi “Zahir Pajaziti” do të modernizohet edhe më shumë. Kjo pasi Qeveria e Kosovës ka ndarë një buxhet prej dy milionë eurosh për investime të reja në këtë arenë sportive. Vetë trajneri i Llapit, skuadër kjo e cila i zhvillon ndeshjet në këtë stadium, Tahir…

Sport
Megjithëse konsiderohet si njëri nga më të kompletuarit në Kosovë, stadiumi “Zahir Pajaziti” do të modernizohet edhe më shumë. Kjo pasi Qeveria e Kosovës ka ndarë një buxhet prej dy milionë eurosh për investime të reja në këtë arenë sportive.
Vetë trajneri i Llapit, skuadër kjo e cila i zhvillon ndeshjet në këtë stadium, Tahir Batatina, ka zbuluar ndryshimet që do t’i pësojë stadiumi me investimet e reja.
“Ndryshimet që do të jenë në stadiumin “Zahir Pajaziti”, së pari do të jetë tribuna lindore e cila do t’i ketë afër 500 ulëse, të cila do të jenë VIP, pra do të ndahen tifozët VIP nga shikuesit normalë. Krahas tribunës lindore do të jetë edhe mbuloja në katër pjesët e stadiumit, do të mbulohet komplet stadiumi dhe krahas mbulojës do të jetë edhe ndriçimi. Kështu mendoj se stadiumi e përmbyll pjesën finale të investimit dhe nuk ka më shumë se çka të investojë”, tha Batatina.
Ai ka thënë se punimet në stadium nuk do ta pengojnë Llapin që ndeshjet si vendas t’i zhvillojë në “Zahir Pajaziti”.
“Kemi biseduar bashkërisht me të dy arkitektët se si do të zbatohet ky projekt dhe ata kanë thënë që nuk la mundësi të pengohet Llapi për arsye se pjesa e mbulojës nuk pengon brenda vijave të fushës së stadiumit. Ndërsa kur të fillojë pjesa lindore, mund të jetë ndoshta që një javë të na pengojë, pra një ndeshje mund ta zhvendosim dhe ta luajmë diku tjetër, përndryshe vetëm ditën e ndeshjeve nuk do të ketë punime dhe nuk do ta pengojë procesin e skuadrës së Llapit që t’i luajë ndeshjet si vendës”, tha Batatina.
E derisa stadiumi po modernizohet, Batatina flet edhe për përforcimet e skuadrës ndërsa sezoni i ri është në prag të nisjes.
“Mendoj se Llapi e ka përfunduar pjesën e prurjeve, përveçse dua të them zyrtarisht se lojtari i fundit që do t’i bashkohet skuadrës së Llapit është një qendërmbrojtës, i cili ka ardhur nga Gjermania, lojtar nga Kosova, por i rritur në Gjermani, por që ka vendosur ta lë ligën e katërt gjermane dhe t’i rikthehet Superligës së Kosovës. Ka qenë lojtar, i cili ka luajtur në Kombëtaren e Kosovës U21 startues, një qendërmbrojtës i cili në dy stërvitjet e para më ka dhënë shumë përshtypje. Mendoj që ky do të jetë lojtari i fundit, por rrugëtimit nuk i dihet derisa të përfundojë afati kalimtar, nuk do të thotë që nëse një lojtar cilësor i ofrohet Llapit dhe unë nuk e ofroj në skuadër”, tha Batatina.
Batatina ka treguar edhe synimet e ekipit të tij për edicionin e ri të Superligës së Kosovës.
“Besoj që me synimet dhe prurjet që i ka bërë, Llapi do të përfundojë në katërshen e parë. Qëllimi ynë kryesor është që të dalim në garat evropiane, të jemi në katërshen e parë që prapë të luajmë në Evropë. Nuk do të thotë që çdo vit Llapi të luajë në Evropë, sepse e kemi parë që në vitet e fundit kemi qenë në tri pozitat e para në tabelë, por nganjëherë ka edhe rënie. Besoj që këtë vit synimi kryesor është që të jemi në katërshen e parë dhe të jemi aty stabil si skuadër dhe besoj fuqishëm që mund ta arrijmë atë objektiv”, tha Batatina.
Kryetrajneri i Llapit komentoi edhe ecurinë e Dritës dhe Ballkanit në garat evropiane.
“Ballkani dhe Drita kanë bërë paraqitje të jashtëzakonshme. Dy skuadra, të cilat duhet të vlerësohen lart, duhet të duartrokiten, dy skuadra të cilat të gjithë ne i shohim me entuziazëm ndeshjet e tyre për arsye se qëllimi ynë është që skuadrat tona që luajnë në Evropë, pa marrë parasysh rivalitetin që e kemi në ligë, për mua është me rëndësi që ato të kenë sukses. Suksesi i skuadrave tona në Evropë e ngrit renditjen tonë tabelare dhe imazhin tonë në Evropë, sepse ne kemi potencial, cilësi dhe talent. Mendoj që të dyja këto kanë performuar mirë”, ka thënë Batatina.
Ndryshe, këtë vit, përveç Dritës dhe Ballkanit, futbolli kosovar në Evropë u përfaqësua edhe nga Prishtina dhe Malisheva./kp