LDK “copë-copë” një ditë para Kuvendit të Jashtëzakonshëm, deklarata të ashpra nga dy kampet

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mbajë të enjten, duke filluar nga ora 18:00, Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku pritet të vendoset për fatin politik të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku. Kuvendi është thirrur pas kërkesës së një pjese të delegatëve të LDK-së, të cilët kërkojnë ndryshim në krye të partisë, duke e konsideruar të…

Lajme

29/07/2026 22:45

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mbajë të enjten, duke filluar nga ora 18:00, Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku pritet të vendoset për fatin politik të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

Kuvendi është thirrur pas kërkesës së një pjese të delegatëve të LDK-së, të cilët kërkojnë ndryshim në krye të partisë, duke e konsideruar të pamjaftueshëm rezultatin zgjedhor të tri proceseve të fundit, ku LDK-ja u rendit e treta, transmeton lajmi.net.

Një ditë para mbajtjes së Kuvendit, përfaqësues të dy kampeve kanë shpalosur qëndrimet e tyre.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, ka dalë në mbështetje të Abdixhikut, duke thënë se pret që ai të marrë edhe më shumë vota sesa në kuvendin e janarit.

“Unë kam bindje të plotë që rezultati do të jetë me diferencë të konsideruar. Në bazë të punës që është bërë, duke e ruajt sigurisht në çdo moment edhe delegatin, edhe aktivistin, edhe degët, edhe njerëzit që janë të dëshmuar ndër vite, mendoj që rezultati ka me qenë edhe më i thellë se në janar”, tha Ferati në emisionin Rubikon.

Sipas tij, Abdixhiku duhet të vazhdojë ta drejtojë LDK-në deri në kuvendin e rregullt të partisë.

“Mendoj që ende ka çka për t’i dhënë LDK-së dhe mendoj që është një prej kryetarëve që ka qenë jashtëzakonisht aktiv edhe një prej kryetarëve më punëtorë në kuptim të terrenit edhe të riorganizimit e të organizimit të LDK-së për krejt këto vite”, deklaroi ai.

Ferati tha se Abdixhiku e kishte marrë drejtimin e LDK-së në një periudhë të vështirë dhe kishte arritur ta ruante unitetin e partisë, duke shtuar se rezultatet zgjedhore janë përgjegjësi e të gjitha strukturave dhe jo vetëm e kryetarit.

Megjithatë, ai kritikoi mënyrën se si është iniciuar Kuvendi i Jashtëzakonshëm, duke e cilësuar si të panevojshëm në këtë fazë.

“Iniciativa nuk është në kohën më të mirë të mundshme, përkundrazi është në kohën më të keqe të mundshme që është LDK-ja dhe mendoj që nuk ka pasur urgjencë”, tha Ferati, duke shtuar se çështjet e ngritura do të mund të trajtoheshin në Kuvendin e rregullt.

Në anën tjetër, anëtari i LDK-së, Florian Dushi, i cili është pjesë e grupit që kërkon ndryshim në krye të partisë, ka renditur tri arsyet kryesore që, sipas tij, kanë çuar në thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.

“Praktikisht, nëse flasim për motivet, mund të flasim për rezultatin e dobët të Lidhjes Demokratike të Kosovës. E dyta janë veprimet jostatutare të Abdixhikut dhe e fundit përndjekja e ndëshkimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe”, deklaroi Dushi në Debat Plus.

Sipas tij, këto zhvillime kanë rënduar situatën brenda partisë dhe kanë bërë që një pjesë e madhe e delegatëve të kërkojnë ndryshime.

“Këto janë tri arsyet që kanë rënduar gjendjen në LDK dhe prandaj jemi në një pikë në të cilën një pjesë e madhe e delegatëve, gjysma kanë nënshkruar dhe kanë kërkuar të mblidhet kuvendi e t’i hapet dera ndryshimit”, u shpreh ai.

Dushi theksoi se Abdixhiku ishte zgjedhur në mënyrë demokratike dhe kishte gëzuar mbështetje të madhe në fillim të mandatit, por tha se tri zgjedhjet e fundit kanë treguar se LDK-ja nuk ka arritur të rritet.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe anëtari i LDK-së, Ismet Beqiri, i cili tha se Abdixhiku duhet të respektojë traditën e partisë, sipas së cilës drejtuesit që nuk arrijnë rezultate të mira zgjedhore duhet të marrin përgjegjësi.

“Kjo LDK ka krijuar një rregull: kush i humb zgjedhjet ose nuk arrin rezultat të mirë, duhet t’ia lëshojë rrugën tjetrit”, deklaroi Beqiri, siç u citua nga RTV21.

Beqiri kujtoi gjithashtu se presidentja Vjosa Osmani kishte qenë dikur kandidate e LDK-së për presidente, por nuk është më pjesë e partisë.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm i së enjtes pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme për LDK-në në vitet e fundit, pasi do të tregojë nëse Lumir Abdixhiku do ta ruajë besimin e shumicës së delegatëve apo nëse partia do të hyjë në një proces të ri drejtues./lajmi.net/