Kujtohet Epopeja e Dukagjinit

Në Deçan të hënën është mbajtur akademi për të kujtuar Epopenë e Dukagjinit e cila filloi me 24 mars 1998 në Gllogjan.

Lajme

24/03/2014 14:30

Ish komandanti i UÇK-së, tani lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se kjo ditë aq sa është e Gllogjanit, aq sa është e Deçanit, është e gjithë shqiptarëve.

 

Haradinaj tha se vitet e tranzicionit kanë qenë të vështira e po ashtu do të jenë edhe vitet e ardhshme.

Ai tha se do të përkulën me respekt para gjithë të rënëve.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha tha se si anëtari më i ri i familjes së deçanasve ndjehet i nderuar dhe fjalët janë të pakta për nderin që po i bëjnë në këtë ditë të madhe.

Ai tha se sot përulen para gjakut të ushtarëve të UÇK-së që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.

Basha tha se deri te kjo ditë populli shqiptar ka ardhur përmes sakrificave të mëdha, raporton Kosovapress.

Basha, i cili njëherësh është edhe lider i Partisë Demokratike të Shqipërisë, tha se sakrifica e familjes Jashari ishte një tregim për botën demokratike se shqiptarët nuk kursejnë asgjë kur është në pyetje liria.

Në këtë akademi ka marr pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.