Jakup Krasniqi refuzoi të trajtohet nga doktorët, nga Dhomat e Specializuara thonë se ai dhe të tjerët kanë qasje të përditshme tek mjekët specialistë
Ditë më parë, Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi njoftoi se babai i saj ka vendosur që të refuzojë kujdesin e ofruar mjekësor në Gjykatë Speciale. Ajo tregoi se babai i ka thënë se këtë e ka bërë për shkak se është atje pa të drejtë dhe se i është…
Lajme
Ditë më parë, Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi njoftoi se babai i saj ka vendosur që të refuzojë kujdesin e ofruar mjekësor në Gjykatë Speciale.
Ajo tregoi se babai i ka thënë se këtë e ka bërë për shkak se është atje pa të drejtë dhe se i është mohuar çdo e drejtë njerëzore, prandaj nuk i duhet kujdesi i tyre.
“Para një muaji, Babi u dënua me 25 vjet burgim. Sot, gjatë një telefonate, më tha: Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Ajo është shprehur e shqetësuar, duke theksuar se babai i saj është në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë.
“Si bijë, natyrisht që u shqetësova. Babi është në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë. Por, si njeri, thotë ajo, që i ka kaluar 30 vitet e jetës duke e njohur dashurinë dhe lirinë, “a mund ta detyroj një njeri tjetër, i cili e ka kaluar gjithë jetën e tij me sakrifica dhe që, me këtë dënim të fundit, pritet të kalojë mbi 35 vjet në burgje, t’i përshtatet një sistemi që i ka sjellë vetëm vuajtje dhe padrejtësi?”.
“Si mund t’i kërkojë të pranojë kujdesin e atyre institucioneve kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte?”, pyet ajo.
E pas këtij publikimi, lajmi.net ka kontaktuar me Dhomat e Specializuara në Hagë për të ditur se çka ndodhë tutje në rastin e Krasniqit pas refuzimit të trajtimit dhe kujdesit mjekësorë nga doktorët në Hagë.
Por, në përgjigjen e dhënë Specialja ka refuzuar të jap ndonjë informacion mbi shëndetin e Jakup Krasniqit.
“Për arsye të privatësisë, nuk mund t’ju ofrojmë informacione lidhur me gjendjen shëndetësore të të paraburgosurit”, u tha nga Specialja.
Por në përgjigje e sipër, nga Specialja deklaruan se megjithatë, mund të “sigurojnë se z. Krasniqi ka qasje në kujdesin shëndetësor në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara, i cili është i të njëjtit standard me sistemin shëndetësor të Holandës”.
Gjithashtu nga Dhomat e Specializuara u tha se “Të paraburgosurit, si dhe personat e dënuar, kanë qasje të përditshme te zyrtari mjekësor dhe, kur është e nevojshme, u mundësohet edhe qasja te mjekët specialistë.”, thanë në përgjigjen e tyre nga Dhomat e Specializuara.
Përmes një postimi, Gresa kishte bërë të ditur se gjatë telefonatës, babai i saj i ka treguar se kishte refuzuar kontrollin nga disa mjekë, duke shprehur pakënaqësi ndaj trajtimit që, sipas tij, po i bëhet në institucionin e paraburgimit.
Sipas saj, Jakup Krasniqi ka deklaruar se nuk do të pranojë më kujdes mjekësor nga institucionet përkatëse, pasi ndihet i padrejtësisht i trajtuar dhe i privuar nga të drejtat e tij.
Gresa ishte shprehur se ky qëndrim e shqetëson veçanërisht për shkak të moshës së babait të saj dhe nevojës për kujdes shëndetësor.
Ndryshe më 16 shtator të këtij viti, Gjykata Speciale mori vendim për dënimin prej 81 vitesh burgim ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Jakup Krasniqi u dënua me 25 vite burgim, njësoj edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite burgim.
Dënimi i tyre më pas nxiti reagime të shumta, protesta dhe pakënaqësi që populli shqiptar assesi nuk pranon që ky gjykim të merret në emër të popullit të Kosovës./lajmi.net/