Kryeziu: Sonte mbaron afati për president, përndryshe zgjedhje të jashtëzakonshme

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se 4 prilli është afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Në emisionin FIVE, Kryeziu ka theksuar se presidenti i ri duhet të zgjidhet sonte, në mënyrë që të përgatitet për marrjen e detyrës dhe përmbushjen e obligimeve kushtetuese para përfundimit të mandatit aktual më…

Lajme

04/03/2026 17:51

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se 4 prilli është afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

Në emisionin FIVE, Kryeziu ka theksuar se presidenti i ri duhet të zgjidhet sonte, në mënyrë që të përgatitet për marrjen e detyrës dhe përmbushjen e obligimeve kushtetuese para përfundimit të mandatit aktual më 5 prill.

Ai ka thënë se për të qenë kandidat për president, një person duhet të jetë së paku 35 vjeç, shtetas i Kosovës dhe të ketë jetuar në vend gjatë dhjetë viteve të fundit. Po ashtu, kandidati duhet të sigurojë 30 nënshkrime nga deputetët, ndërsa secili deputet mund të nënshkruajë vetëm për një kandidat.

Sipas tij, seanca nuk mund të hapet pa minimumi dy kandidatë të zyrtarizuar.

“Pastaj është procedura tjetër formale që një kandidatë t’i marrë 30 nënshkrime, por secili deputet duhet t’i japë vetëm një nënshkrim një kandidati. Dhe pastaj konsiderohet se kandidati është zyrtar. Nuk mund të hapet seanca pa qenë dy kandidat, minimumi dy, mund të jenë edhe katër kandidatë, pasi që janë parlamenti me 120 deputetë, katër ka 30 nënshkrime. Nëse nuk ekziston kandidati i dytë seanca sonte nuk mund të vazhdojë. Detyrimisht duhet dy kandidatë sepse kushtetuta thotë”, ka deklaruar Kryeziu.

Kryeziu ka paralajmëruar se në rast se presidenti nuk zgjidhet, vendi do të duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat do t’i shpallë presidentja aktuale deri sa është në detyrë.