Kërcënimi ndaj Kurtit u bë nga Kraleva e Serbisë, Prokuroria Speciale dhe Policia nisin hetimet
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka identifikuar burimin e kërcënimit ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i publikuar në rrjetet sociale nga organizata “Severna Brigada”, e shpallur organizatë terroriste nga institucionet e Kosovës. Sipas njoftimit, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda më 8 maj 2026 ka pranuar informacionin lidhur…
Lajme
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka identifikuar burimin e kërcënimit ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i publikuar në rrjetet sociale nga organizata “Severna Brigada”, e shpallur organizatë terroriste nga institucionet e Kosovës.
Sipas njoftimit, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda më 8 maj 2026 ka pranuar informacionin lidhur me kanosjen e publikuar në rrjetet sociale ndaj Kurtit, raporton lajmi.net
“Në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), menjëherë janë ndërmarrë veprime intensive hetimore, me mbështetjen edhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike”, thuhet në njoftim.
Policia bëri të ditur se kërcënimi ishte publikuar përmes profilit në Facebook “Severna Brigada”, respektivisht nga llogaria facebook.com/severna.brigada.2025.
Komunikata e plotë:
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, më datë 08 maj 2026, ka pranuar në trajtim një informacion lidhur me një kanosje të adresuar ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në rrjetet sociale nga profili i quajtur “Severna Brigada”, e njohur edhe si “Brigada e Veriut” (organizatë e cila nga institucionet e Republikës së Kosovës është shpallur organizatë terroriste).
Në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), menjëherë janë ndërmarrë veprime intensive hetimore, me mbështetjen edhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Nga hetimet e kryera është konstatuar se kanosja është publikuar përmes llogarisë facebook.com/severna.brigada.2025.
Bazuar në të dhënat e siguruara, postimi është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës në Republikën e Serbisë. Me këtë rast janë identifikuar IP-adresa e përdorur dhe të dhënat personale të përdorura gjatë regjistrimit.
Nga analizat e kryera nga njësitë kompetente janë identifikuar të dhëna shtesë që mund të ndihmojnë në hetimin intensiv të mëtejshëm nga Policia e Kosovës dhe PSRK./Lajmi.net/