Jasharaj: S’na hidhëron deklarata e Kurtit, urojmë ta ketë thënë kalimthi

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nuk e kanë pritur deklarimin e kryeministrit Albin Kurti, se do të ketë ndryshime në Sindikata.

Lajme

06/12/2021 18:12

Ai e quajti atë një deklaratë shokuese, sepse sipas tij, nuk është e drejtë as e kryeministrit as e dikujt tjetër që të përzihet në organizimin sindikal.

“Se kush është dhe kush do të jetë në të ardhmen udhëheqës në Federata, konkretisht e kam fjalën edhe për SBASHK-un, vendosin vetëm anëtarësia e asaj Sindikate, në këtë rast anëtarësia e SBASHK-ut. Ata janë vlerësues të angazhimit të punës së kryetarit dhe ata vendosin se kush do t’i udhëheqë tash ose në të ardhmen.” tha Jasharaj, i ftuar në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës.

Tutje ai deklaroi se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës është stabile dhe se asnjë kryeministër apo ministër nuk ka mundur ta luhasë unitetin e saj.

“Ne jemi njerëz dhe nuk do ta marrim me hidhërim deklaratën e Kurtit, por urojmë që ai ta ketë thënë kalimthi, në një moment mbase emocional. Dhe që nga nesër t’i hapë dyert dhe ta thërrasë në mos mua dhe Blerim Sylën, e kam fjalën për dy Sindikatat, të shëndetësisë dhe tonën, atëherë le ta thërrasë Ali Hykollin, që është kryetar i të gjithëve dhe le të fillojë dialogun.”

I pari i SBASHK-ut gjithashtu e këshilloi Kurtin që të ruhet nga deklaratat e tilla, sepse sipas tij, ato përcillen edhe tek institucionet ndërkombëtare.

“SBASHK-u do t’ia dërgojë një shkresë Unionit të Sindikatave të Evropës, ku jemi anëtarë dhe Internacionales Botërore, që ta informojmë për situatën e krijuar dhe për ta informuar për deklaratën e Kurtit. Ata besoj që do t’i dërgojnë letër duke e këshilluar që ai të ketë deklarata të matura.”