Shtrenjtohen prodhimet bujqësore në Kosovë gjatë vitit 2026

Çmimet e prodhimeve bujqësore në Kosovë kanë shënuar rritje prej 1.4 për qind gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kështu bëhet e ditur në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), përmes Indeksit të Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimeve në Bujqësi për TM3…

Lajme

31/10/2026 08:28

Çmimet e prodhimeve bujqësore në Kosovë kanë shënuar rritje prej 1.4 për qind gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kështu bëhet e ditur në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), përmes Indeksit të Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimeve në Bujqësi për TM3 2026, transmeton lajmi.net.

Sipas të dhënave të publikuara, shtrenjtimi është evidentuar në të dy sektorët e bujqësisë. Çmimet e prodhimeve bimore kanë shënuar rritje prej 0.8 për qind, ndërsa ato të prodhimeve blegtorale janë rritur për 3.1 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025.

Në kategorinë e prodhimeve bimore përfshihen drithërat, bimët foragjere, perimet, patatet dhe pemët. Ndërkaq, grupi i prodhimeve blegtorale përfshin kafshët dhe produktet që përfitohen prej tyre.

Për llogaritjen e çmimeve në sektorin e blegtorisë janë marrë parasysh katër kategori kafshësh: gjedhet, delet, derrat dhe pulat. Vlerësimi i tyre është bërë në bazë të peshës së gjallë.

Në këtë kategori janë përfshirë gjithashtu edhe produktet blegtorale si qumështi, vezët dhe mjalti.

ASK ka bërë të ditur se mbledhja e të dhënave është realizuar në tregje, ferma dhe pika të tjera ku grumbullohen prodhimet bujqësore. Çmimet janë regjistruar në euro, ndërsa për matjen e tyre janë përdorur kilogrami, litri dhe njësia (copa)./lajmi.net/