Hamza pas takimit me Kurtin: Fillimisht miratimi final i ligjit për Specialen, pastaj presidenti
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, duke përsëritur qëndrimin e PDK-së lidhur me ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit. Hamza ka bërë të ditur se kërkesa e PDK-së mbetet që ligji për Specialen të miratohet përfundimisht në Kuvend, në të…
Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, duke përsëritur qëndrimin e PDK-së lidhur me ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit.
Hamza ka bërë të ditur se kërkesa e PDK-së mbetet që ligji për Specialen të miratohet përfundimisht në Kuvend, në të dy leximet. Sipas tij, pas përfundimit të këtij procesi, PDK-ja është e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e presidentit, transmeton lajmi.net.
“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj PDK është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, me bisedu me gjet zgjidhjen për presidentin dhe me i dhanë votat për presidentin”, ka deklaruar Hamza.
Ai tha se diskutimet me Kurtin kanë përfunduar, ndërsa sipas tij, ende ka kohë për të arritur një marrëveshje mes palëve.
“Bisedat i kemi përfundu, janë edhe disa ditë ku kemi mundësi me arrit marrëveshjen. Nuk e di a do të ndodh marrëveshja, por përndryshe kjo është kërkesa jonë”, u shpreh kreu i PDK-së.
Hamza theksoi se kërkesa e partisë së tij për miratimin e ligjit nuk lidhet me interesat e PDK-së, por me atë që ai e cilësoi si një çështje që shkon përtej kësaj partie.
“Ligji kalon nevojat përtej PDK-së, dhe ka të bëjë me një çështje tjetër”, tha Hamza./lajmi.net/