Hadërgjonaj: Për Kosovën luaj edhe portier

Florent Hadërgjonaj është i gatshëm të luajë në çdo pozitë që i kërkon trajneri, në prag të sfidës me Republikën e Çekisë.

Sport

05/09/2019 13:45

‘Dardanët’ luajnë ndeshjen e katërt të kualifikimeve për Euro 2020 përballë Çekisë në ‘Fadil Vokrri’ të shtunën (15:00), por mungesat në kampin kosovar janë të mëdha.

Milot Rashica, Arbër Zeneli, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Benjamin Kololli do të jenë mungesat gjatë dy ndeshjeve të këtij muaji, shkruan lajmi.net.

Kjo ka bërë që selektori Bernard Challandes të mendojë një skemë të re, qoftë edhe duke sakrifikuar pozicionet e disa futbollistëve.

Rasti konkret është me Florent Hadërgjonajt, me mbrojtësin e Huddersfield që pritet të luajë në krahun e majtë të mbrojtjes.

”I djathtë, i majtë, mesfushor, sulmues apo portier. Për Kosovën luaj kudo që të është nevoja”, ka shkruar Hadërgjonaj në faqen zyrtare në Facebook, duke konfirmuar se është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për reprezentacionit kosovar. /Lajmi.net/