Gati për transformim!
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) i ka plotësuar të gjitha standardet e nevojshme operative dhe është e gatshme të transformohet menjëherë në ushtri të Kosovës. Mirëpo, forcimi kushtetues i saj varet nga politika, e cila duhet të gjejë një konsensus që FSK-ja të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).
Lajme
Kështu ka deklaruar në një intervistë për “Zërin”, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, i cili është shprehur optimist që për ndryshimet kushtetuese do të votojnë edhe deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.
Edhe pse ekspertët kushtetues dhe ligjvënësit kosovarë besojnë se FSK-ja mund të fuqizohet edhe me amendamentimin e ligjeve, gjeneral Kastrati ka thënë se ndryshimet në Kushtetutë janë të domosdoshme.
Ai ka thënë se FSK-ja funksionon sipas parimeve të NATO-s dhe ka marrëdhënie të shkëlqyeshme edhe me ushtritë rajonale, ndërsa Garda Amerikane e Iowas mbetet model për zhvillimin e saj.
Sipas ish-oficerit të UÇK-së, është parashikuar edhe buxheti i nevojshëm për transformimin e FSK-së në FAK.
Po ashtu, sipas praktikës aktuale, në Kosovë nuk do të ketë obligim ushtarak të detyrueshëm dhe të rinjtë kosovarë, siç ka thënë gjeneral Kastrati, nuk do të obligohen të shkojnë në shërbim ushtarak.