Deklarata e Vlora Hysenit ndaj gazetares, reagon televizioni: E mbështesim Kloadiana Lalën
Ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni, është përfshirë sot në një polemikë me gazetaren Klodiana Lala në hyrjen e ambienteve të GJKKO para se të njihej me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. E pyetur nga gazetarja Klodiana Lala për lidhjet e saj me Ergys Agasin ajo iu përgjigj: “Klodi, si kalon ti në takime me…
Lajme
Ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni, është përfshirë sot në një polemikë me gazetaren Klodiana Lala në hyrjen e ambienteve të GJKKO para se të njihej me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
E pyetur nga gazetarja Klodiana Lala për lidhjet e saj me Ergys Agasin ajo iu përgjigj: “Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”.
Këtë deklaratë të Hysenit e cilësuan si shantazh Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, si dhe televizioni ku punon Lala, News24.
Ky medium përmes një deklarate ka reaguar në mbrojtje të gazetares, duke thënë: Një deklaratë e tillë, e bërë publikisht dhe pa paraqitur asnjë fakt apo provë, është e papranueshme dhe përbën një përpjekje serioze për të intimiduar dhe diskredituar një gazetare në ushtrimin e detyrës së saj.
Reagimi i plotë i televizionit:
Televizioni News24 dënon publikisht deklaratën e bërë sot nga ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj gazetares Klodiana Lala, gjatë momentit kur ajo po kryente detyrën e saj të raportimit pranë GJKKO-së.
Teksa gazetarja iu drejtua Vlorës Hyseni me pyetje lidhur me akuzat për të cilat ajo po përballet me drejtësinë, në vend të një përgjigjeje mbi çështjen në fjalë, Hyseni zgjodhi t’i drejtonte gazetares një akuzë të rëndë, duke aluduar për takime me “agjentë serbë”.
Një deklaratë e tillë, e bërë publikisht dhe pa paraqitur asnjë fakt apo provë, është e papranueshme dhe përbën një përpjekje serioze për të intimiduar dhe diskredituar një gazetare në ushtrimin e detyrës së saj.
Pyetjet e gazetarëve nuk janë shantazh, nuk janë krim dhe nuk mund të zëvendësohen me insinuata apo akuza personale. Nëse ekzistojnë fakte apo prova për pretendime të tilla, ato duhet t’u paraqiten institucioneve përkatëse dhe të provohen sipas ligjit. Hedhja e akuzave të rënda në publik, pa asnjë provë të bërë publike, nuk mund të përdoret si përgjigje ndaj pyetjeve të një gazetari.
Neës24 mbështet të drejtën e gazetares Klodiana Lala për të ushtruar detyrën e saj në mënyrë të lirë e të pavarur si dhe të drejtën e saj për të ndjekur çdo rrugë ligjore lidhur me deklaratat e bëra ndaj saj.
Liria e medias dhe e drejta e gazetarëve për të bërë pyetje janë elemente themelore të një shoqërie demokratike. Asnjë funksion publik, aktual apo i mëparshëm, nuk mund të shërbejë si arsye për t’i vendosur gazetarët nën presion, për t’i intimiduar apo për t’i kthyer ata në objekt të akuzave personale.
Neës24 do të vijojë të raportojë mbi këtë dhe çdo çështje tjetër me interes publik, duke respektuar parimet e gazetarisë profesionale dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.