Chelsea futet në garë për Shaqirin

Liverpooli nuk është klubi i vetëm anglez që e kërkon Xherdan Shaqirin. Mesfushori kosovar së fundmi është bërë objektiv i Chelseat të Jose Mourinhos.

Sport

07/07/2014 11:15

Chelsea po mendon të përforcohet për sezonin e ardhshëm. Dhe, klubi anglez duket se ia ka vënë syrin Xherdan Shaqirit.

Lajmin e ka konfirmuar uebfaqja zvicerane, ‘fussball.ch’, sipas së cilës, Jose Mourinho e ka ndërmend t’ia japë rastin yllit kosovar të luajë në Stamford Bridge.

Aktualisht, “Messi i Alpeve” është pjesë e Bayern Munichut, por nuk po arrin të luajë në ekipin e parë, duke i zhvilluar vetëm 17 ndeshje në Bundesligë sezonin e fundit.

22 vjeçari kërkohet nga Liverpooli, që duket të jetë ekipi më i interesuar për shërbimet e tij, por nuk mbetet prapa as Atletico Madridi.

Tash, këtyre dy klubeve u është shtuar edhe një konkurrent i fortë, i cili, kur bëhet fjalë për paratë, nuk e ka asnjëherë atë problem, derisa e ka pronar miliarderin rus, Roman Abramovich.

Liverpooli kishte ofruar 20 milionë euro për përfaqësuesin zviceran, i cili shkëlqeu në Botërorin e Brazilit.