BE shpërndanë vëzhguesit
Bashkimi Evropian ka shpërndarë të mërkurën dhjetëra vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të monitorojnë zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit në Kosovë.
Lajme
Misionit të Bashkimit Evropian kishte dërguar javën e kaluar 20 vëzhguesit afatgjatë, të cilët janë vendosur dy nga dy në zonat zgjedhore në tërë Kosovën.
“Sot vëzhguesit tanë afatshkurtër janë vendosur në zonat e përgjegjësisë. Ata do të shkojnë në të gjithë Kosovën, në të gjitha komunat. Do të takojnë zyrtarë lokalë zgjedhorë, partitë lokale politike, do të ndjekin ndonjë tubim parazgjedhor, do të takojnë anëtarët e shoqërisë civile, vëzhguesit e brendshëm, si dhe përfaqësuesit e mediave”, ka thënë zëdhënësja e misionit vëzhgues të zgjedhjeve nga BE-ja, Sarah Crozier.
Zëvendësshefi i ekipit vëzhgues, Marian Gabriel, ka konfirmuar po ashtu se vëzhguesit do të vendosen në të gjitha zonat, përfshirë edhe veriun.
Kërkesën për vëzhgues ndërkombëtarë e ka bërë presidentja Atifete Jahjaga, pasi sipas saj monitorimi ndërkombëtar ndihmon që zgjedhjet të jenë të sigurta, të ndershme, demokratike dhe gjithëpërfshirëse, ku të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë të votojnë në mënyrë të lirë.