Analistët mirëpresin tejkalimin e krizës dhe zgjedhjen e presidentes

Analistët politik e kanë vlerësuar pozitivisht tejkalimin e krizës institucionale dhe zgjedhjen e presidentes, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm për Kosovën. Ata theksuan se funksionalizimi i institucioneve i hap rrugë përballjes me sfidat e reja. Publicisti Reshat Sahitaj tha se përfundimi i krizës institucionale është i mirëpritur nga qytetarët, ndërsa zgjedhjen…

Lajme

08/10/2026 23:06

Analistët politik e kanë vlerësuar pozitivisht tejkalimin e krizës institucionale dhe zgjedhjen e presidentes, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm për Kosovën. Ata theksuan se funksionalizimi i institucioneve i hap rrugë përballjes me sfidat e reja.

Publicisti Reshat Sahitaj tha se përfundimi i krizës institucionale është i mirëpritur nga qytetarët, ndërsa zgjedhjen e presidentes e konsideroi një lajm të mirë.

“Është akt sublim zgjedhja e presidentes. Është sukses i madh i akterëve për zgjedhjen e presidentes, e cila është kryetare e Akademisë së Shkencave. Shpresoj që ajo do të kontribuojë shumë në të ardhmen për Kosovën”, tha Sahitaj, raporton RTK.

Edhe analisti Ibrahim Shala vlerësoi se zhvillimet e fundit janë pozitive dhe se tashmë duhet të vlerësohen të gjithë ata që kanë kontribuar në tejkalimin e krizës.

“Fatmirësisht, duhet përgëzuar ata që kanë kontribuar për daljen nga kriza. Zgjedhja e presidentit është shumë e mirë dhe e drejtë”, tha Shala.

Shala u ndal edhe te miratimi i ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se me këtë hap është krijuar një realitet i ri institucional, i cili hap perspektiva të reja, por sjell edhe sfida me të cilat vendi duhet të përballet.

Ndërkaq, avokati Armend Shkodra, i ftuar në emision i mirëpriti zhvillimet e fundit sa i përket kompletimit të institucioneve të vendit. Ai theksoi se, pavarësisht këtij zhvillimi, Kosova përballet me sfida të rëndësishme pas aktakuzës së ngritur më 16 shtator ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Është fatkeqësi që ndodhemi në një situatë tejet delikate për shtetësinë e Kosovës, për raportet ndërkombëtare, për shkak të pasojave që mund të ndodhin nga aktgjykimi i shpallur në Speciale”, tha ai.

Megjithatë, ai theksoi se është e rëndësishme që tashmë vendi i ka të kompletuara institucionet, duke vlerësuar se funksionalizimi i tyre është i domosdoshëm për përballimin e sfidave të ardhshme.