Pritje diplomatike për Sami Ukellin
Ambasadori Sami Ukelli i ka dorëzuar letrat kredenciale Presidentit të Republikës së Hungarisë Janos Ader. Ai e ka informuar presidentit Ader për arritjet e Kosovës në sferën politike.
Lajme
Ambasadori i Republikës së Kosovës Sami Ukelli i ka dorëzuar letrat kredenciale te Presidenti i Hungarisë Janos Ader në një ceremoni formale në Pallatin Sandor.
Ukelli ka falënderuar Presidentin Ader për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës dhe bashkëpunimin në mes të dy shteteve.
Ai e informoi Presidentin Ader për arritjet e Kosovës në sferën politike si dhe mbi rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Kosovës si faktor sigurie dhe stabiliteti në Ballkan, përkushtimin e Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar në strukturat euro-atlantike dhe rolin e veçantë të Hungarisë në realizimin e këtyre aspiratave thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Ndërsa Presidenti Ader i ka uruar punë të mbarë ambasadorit Ukelli, duke i konfimuar mbështetjen e shtetit hungarez për Kosovën në rrugëtimin e mëtejshëm të shtetit.
Sa i përket rrafshit bilateral presidenti hungarez theksoi se të dyja vendet kanë nevojë të rrisin bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe tregtisë.
Pas prezantimit të letrave kredenciale, ambasadori Ukelli me një ceremoni formale të Gardës kombëtare të nderit, vendosi kurorë lulesh mbi Monumentin e Dëshmoreve në Sheshin e Heronjve.