Borchardt: Nuk ka padi të fshehta në Kosovë
Shefi i EULEX'it, Bernd Borchardt, thotë se në Kosovë nuk ka asnjë padi të fshehtë. Ai kërkon që të gjendet i akuzuari për krime të rënda, Slobodan Sovrlic, që ishte arratisur nga Zubin Potoku. Thotë se EULEX është i gatshëm të bashkëpunojë me popullatën.
Lajme
Shefi i Misionit të EULEX’it, Bernd Borchardt, ka deklaruar se nuk ka asnjë padi të fshehtë në Kosovë.
Borchardt ka thënë për të përditshmen serbe Blic se në sistemin e Kosovës nuk ekzistojnë mekanizma të aktakuzave të fshehta.
Borchardt ka komentuar edhe për bastisjet në stacionin policor në Zubin Potok dhe për lirimin e paligjshëm të Slobodan Sovrlic, të dyshuar për kryerjen e disa veprave të rënda penale dhe i cili më voni ishte arratisur pas në eksplodimi të madh.
“Jo, kjo nuk ishte një skenë nga filmat e Holliwood’it. Kjo ka ndodhur në të vërtetë javën e kaluar në Zubin Potok”.
Sipas tij, i arratisuri duhet të kthehet për t’u ballafaquar me drejtësinë.
“I mbetet popullatës vendase të vendosë nëse dëshirojnë të bashkëpunojnë dhe t’i përkrahin forcat e tyre të sigurisë, që t’i respektojë dhe të japë informacione atëherë kur është e nevojshme”.
Shefi i EULEX’it, është i bindur se shumica e njerëzve, në Veri dhe në Jug të Lumit Ibër kanë tendenca për një sistem funksional dhe të drejtë, të bazuar në sundimin e ligjit.
“Sundimi i ligjit krijimi i një ambienti të sigurt, pa krim të organizuar dhe korrupsion, do të inkurajojë investitorët, zhvillimin ekonomik dhe në fund të fundit edhe ngritje të punësimit”, tha Borchardt.