Paralajmërimet e Ambasadores
Ambasadorja amerikane, Tracy Ann Jacobson, thotë se nëse reforma zgjedhore nuk kryhet së paku gjashtë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme, atëherë ka mundësi që BE’ja të mos i njohë rezultatet e atyre zgjedhjeve si legjitime.
Lajme
Ambasadorja Amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare pa e kryer reformën zgjedhore do të ishte gabim dhe do të rrezikonte raportet e Kosovës me Perëndim.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ambasadorja ka deklaruar se reforma zgjedhore duhet të kryhet të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve të ardhshme, në të kundërtën ka paralajmëruar probleme.
“Nëse reforma zgjedhore nuk kryhet së paku gjashtë muaj ose më shumë se përpara zgjedhjeve të përgjithshme, atëherë ka mundësi që BE’ja nuk do t’i njohë rezultatet e atyre zgjedhjeve si legjitime dhe ky do të ishte një problem i madh për Kosovën”.
Tracy Ann Jacobson ka folur edhe për rolin e EULEX’it në Kosovë.
“Sa i përket rolit të tanishëm, ne e përkrahim atë, ne i kemi pjesëtarët tanë në të, ne i bashkërendojmë punët dhe e kemi qëllimin e përbashkët për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë”.
“Sa i përket të ardhmes së EULEX’it, është e qartë se përderisa gjendja në Kosovë ka evoluar, edhe roli i EULEX-it duhet të evulojë”.
Ambasadorja Jacobson ka thënë se manipulimi i zgjedhjeve është i papranueshëm.