Ky është momenti
Agim Çeku thotë se po kandidon për ta ndryshuar Prishtinën. Dhe, sipas tij, ky është momenti kur duhet të ndodhë ndryshimi. Memli Krasniqi mendon se në garë për Kryeqytetin janë dy kandidatë, e të tjerët janë sa për të marrë pjesë.
Lajme
Lirak Çelaj, Memli Krasniqi e Blerand Stavileci, i janë kthyer lagjes së tyre, Ulpianës, për të treguar si ka qenë ajo në fëmijërinë e tyre, si është bërë tash nën qeverisjen e LDK’së dhe Isa Mustafës, e si do të bëhej nesër – nëse PDK ia del që ta fitojë Prishtinën.
Ata, bashkë me Kandidatin e PDK’së për Kryeqytetin, Agim Çeku, kanë kërkuar që të votohet për ndryshimin e Prishtinës, duke thënë se “ky është momenti.”
Duke folur para qytetarëve në Shkollën “Hasan Prishtina”, Agim Çeku ka pohuar se i vetmi qëllim i kandidimit të tyre është – të ndryshohet Prishtina.
“Ndryshimi ndodh duke i shërbyer qytetarëve të Prishtinës, sepse ne detyrën tonë e kuptojmë si qeverisje në shërbim të qytetarëve. Objektivi është që t’i ofrojmë qytetarëve shërbime efikase, të mira, të lira.”
“Ne do t’i ulim ose do t’i heqim të gjitha taksat kudo që është e mundur për shërbime komunale.”
“Ne do t’i shkurtojmë taksat e ndërtimit në 10 euro për metër katror për ndërtime të larta dhe në 6 euro për ndërtime individuale apo shtëpi.”
“Ne kemi vendosur se të gjithë qytetarët që kanë obligime ndaj Termokosit, nga pas lufta e deri më shpalljen e pavarësisë, t’ua fshijmë atë borxh në tërësi. Ndërsa ata të cilët e kanë paguar deri në atë kohë, do t’i kompensojmë për periudhën e tanishme.”
“Do t’i largojmë qenët endacakë, për shkak të imazhit të qytetit, edhe për siguri të qytetarëve e posaçërisht të fëmijëve.”
“Ne do të promovojmë vlera të artit dhe do të përkrahim çdo njërin që ka potencial dhe talent për të na përfaqësuar në Europë dhe Botë”.
Agim Çeku ka thënë më tutje se e ka mbështetjen e Qeverisë dhe të Kryeministrit.
Ai, po ashtu, ka pohuar se ekziston një pengesë të qëllimshme të bashkëpunimit mes Qeverisë dhe Komunës, për të mos i dhënë merita Qeverisë.
Minsitri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i cili është kandidat për Asamblenë e Prishtinës, ka thënë se në garën e 3 nëntorit për Kryeqytetin janë dy kandidatë, e të tjerët janë vetëm sa për të marrë pjesë.
“I keni dy kandidatë, sepse tjerët janë sa për të marr pjesë. E keni një kandidat Agim Çekun, që ka qenë Kryeministër në momentet më të rëndësishme për Kosovën. Dhe, e keni Isë Mustafën, që e ka ëndërr që të bëhet Kryeministër e që kurrë nuk do të jetë”.
Ai ka thënë se është koha për ndryshimin e Prishtinës, duke pohuar se ekipi i PDK’së është më i miri që ka pasur ndonjëherë nga partitë për të qeverisur Prishtinën.
“E kemi një qeverisje e cila qe 13 vjet e ka sjell Prishtinën në këtë gjendje.”
“Për të qeverisur nuk duhet t’i mbajmë duart ne xhepa, por duhet t’i nxjerrim duart nga xhepat dhe t’i përvishemi punës”.
Memli Krasniqi është shprehur më tutje me besim të plotë se PDK do t’i fitojë shumicën e komunave të Kosovës sot, e po ashtu zgjedhjet e ardhshme nacionale nesër. Këtu, ai i ka dërguar tërthorazi një mesazh Isa Mustafës.
“Ashtu siç është sot Kryeministër Hashim Thaçi, ashtu do të jetë edhe nesër Kryeministër Hashim Thaçi.”
Këtu mund ta shikoni videon nga transmetimi live që ka bërë lajmi.net: