SHSKUK reagon për arrestimin e Gëzim Berishës, paralajmëron masa të rrepta ndaj drejtorit të Spitalit të Mitrovicës

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka reaguar pas raportimeve për arrestimin e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, nën dyshimin për dhunë në familje. Përmes një njoftimi për media, SHSKUK-ja ka bërë të ditur se ka autorizuar Zyrën Ligjore që t’u drejtohet zyrtarisht organeve kompetente, me qëllim të verifikimit…

Lajme

31/10/2026 14:30

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka reaguar pas raportimeve për arrestimin e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, nën dyshimin për dhunë në familje.

Përmes një njoftimi për media, SHSKUK-ja ka bërë të ditur se ka autorizuar Zyrën Ligjore që t’u drejtohet zyrtarisht organeve kompetente, me qëllim të verifikimit urgjent të pretendimeve lidhur me rastin, transmeton lajmi.net.

Institucioni i ka cilësuar raportimet si jashtëzakonisht shqetësuese, duke theksuar se dhuna në çfarëdo forme është e papranueshme dhe nuk tolerohet.

“Qëndrimi ynë institucional është i prerë, dhuna në çfarëdo forme është e dënueshme dhe nuk tolerohet në asnjë rrethanë”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.

Tutje, SHSKUK-ja ka paralajmëruar se ndaj Berishës mund të ndërmerren masa të rrepta administrative dhe ligjore, varësisht nga informacionet zyrtare që do të pranohen nga institucionet përgjegjëse.

“Në bazë të informacioneve zyrtare që do të pranohen nga organet kompetente, SHSKUK do të ndërmarrë masat më të rrepta administrative dhe ligjore ndaj drejtorit në fjalë”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Gëzim Berisha është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit kujdestar, nën dyshimin për dhunë në familje. Sipas raportit të Policisë, bashkëshortja e tij kishte raportuar se për një periudhë të vazhdueshme kishte përjetuar dhunë psikike, ndërsa kishte bërë të ditur se nuk bashkëjetonin prej disa muajsh./lajmi.net/