Arrestohen në Morinë dy të rinj nga Vushtrria, ishin dënuar me nga 15 vjet burg në Gjermani për vjedhje me dhunë dhe dëmtim prone

Dy të rinj nga Kosova janë arrestuar në pikën kufitare në Morinë të Shqipërisë, pasi kërkoheshin ndërkombëtarisht nga autoritetet gjermane për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Dëmtim prone”. Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë të ditur se në pranga kanë përfunduar dy shtetas kosovarë, të moshës 22 dhe 24-vjeçare,…

Lajme

31/10/2026 11:14

Dy të rinj nga Kosova janë arrestuar në pikën kufitare në Morinë të Shqipërisë, pasi kërkoheshin ndërkombëtarisht nga autoritetet gjermane për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Dëmtim prone”.

Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë të ditur se në pranga kanë përfunduar dy shtetas kosovarë, të moshës 22 dhe 24-vjeçare, të dy banues në Vushtrri, transmeton lajmi.net.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i tyre është realizuar nga shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në kuadër të operacionit “Wanted”, pas kontrolleve të bazuara në analizën e riskut.

Dy të rinjtë ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, në Gjermani, pasi Gjykata e Erfurtit, më 1 qershor 2026, i kishte dënuar secilin me nga 15 vjet burgim.

Dënimi ishte shqiptuar për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Dëmtim prone”, të parashikuara nga Kodi Penal gjerman.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:

Morinë, Kukës

Kontrolle intensive, bazuar në analizën e riskut, për kapjen e personave në kërkim, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për vjedhje me dhunë, kapen në Morinë dy shtetas kosovarë, të dënuar me nga 15 vite burg secili.

Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, në kuadër të operacionit “Wanted”, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimi dy shtetas kosovarë, konkretisht:

M., 22 vjeç, dhe F. B., 24 vjeç, të dy banues në Vushtrri, Kosovë.

Këta shtetas ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi Gjykata e Erfurtit, Gjermani, më datë 01.06.2026, i ka dënuar me nga 15 vite burgim secilin, për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Dëmtim prone”, të parashikuara nga Kodi Penal Gjerman.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden, Gjermani, vijon punën për finalizimin e ekstradimit të këtyre shtetasve drejt Gjermanisë./lajmi.net/