AUV kthen në Serbi mbi 110 tonë koncentrat për lopë qumështore, u gjet aflatoksinë mbi nivelin e lejuar

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur kthimin në Serbi të 110.05 tonëve ushqim për kafshë, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar përmbajtje të aflatoksinës B1 mbi nivelin e lejuar. Sipas njoftimit të AUV-së, bëhet fjalë për 110 mijë e 50 kilogramë produktin “Koncentrat për lopë qumështore”, të importuar nga operatori ekonomik N.P.T. Haxhijaha SH.P.K.…

Lajme

31/10/2026 12:08

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur kthimin në Serbi të 110.05 tonëve ushqim për kafshë, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar përmbajtje të aflatoksinës B1 mbi nivelin e lejuar.

Sipas njoftimit të AUV-së, bëhet fjalë për 110 mijë e 50 kilogramë produktin “Koncentrat për lopë qumështore”, të importuar nga operatori ekonomik N.P.T. Haxhijaha SH.P.K. nga Rahoveci, me prodhues kompaninë De Heus d.o.o. në Serbi, transmeton lajmi.net.

Vendimi për kthimin e produktit në vendin e origjinës është marrë pas konstatimit të mospërputhjeve me kërkesat për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit për kafshë.

“Bazuar në rezultatet e analizave laboratorike të kryera në Laboratorin e AUV-së dhe të konfirmuara nga AGES në Austri, është konstatuar se produkti ‘Koncentrat për lopë qumështore’ përmban aflatoksinë B1 në nivel prej 13 mikrogramë/kg, mbi nivelin e lejuar”, thuhet në njoftim.

Përveç nivelit të lartë të aflatoksinës, gjatë inspektimit është dokumentuar edhe prania e mbetjeve të insekteve në produkt.

AUV ka sqaruar se aflatoksina B1 është substancë toksike që prodhohet nga disa lloje myqesh, kryesisht të gjinisë Aspergillus, dhe mund të kontaminojë drithërat dhe ushqimin për kafshë.

Kjo substancë njihet për efektet e saj toksike dhe kancerogjene. Rreziku është veçanërisht i rëndësishëm te lopët qumështore, pasi aflatoksina B1 mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik potencial për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve.

Në fund, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet zyrtare dhe mbikëqyrjen e tregut, me qëllim parandalimin e qarkullimit të produkteve që nuk i plotësojnë standardet e sigurisë.

AUV ka theksuar se këto masa synojnë mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, sigurinë e zinxhirit ushqimor dhe interesat e fermerëve dhe konsumatorëve.

Njoftimi i plotë:
AUV vendos kthimin në Serbi të 110 tonëve ushqim për kafshë për shkak të aflatoksinës B1 mbi nivelin e lejuar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur kthimin në vendin e origjinës, Serbi, të 110,050 kilogramëve (110.05 tonë) ushqim për kafshë, të importuar nga operatori ekonomik N.P.T. Haxhijaha SH.P.K., Rahovec, nga prodhuesi De Heus d.o.o., Serbi.
Vendimi është marrë pas konstatimit të mospërputhjeve me kërkesat për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit për kafshë. Bazuar në rezultatet e analizave laboratorike të kryera në Laboratorin e AUV-së dhe të konfirmuara nga AGES në Austri është konstatuar se produkti ‘Koncentrat për lopë qumështore’ përmban aflatoksinë B1 në nivel prej 13 mikrogramë/kg, mbi nivelin e lejuar’. Gjithashtu, gjatë inspektimit është dokumentuar prania e mbetjeve të insekteve.
Aflatoksina B1 është një substancë toksike e prodhuar nga disa lloje myqesh, kryesisht të gjinisë Aspergillus që mund të kontaminojë drithërat dhe ushqimin për kafshë. Ajo njihet për efektet e saj toksike dhe kancerogjene. Te lopët qumështore, aflatoksina B1 mund të shndërrohet në aflatoksinë M1, e cila mund të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik potencial për sigurinë e ushqimit dhe shëndetin e konsumatorëve.
AUV do të vazhdojë kontrollet zyrtare dhe mbikëqyrjen e tregut për të parandaluar qarkullimin e produkteve jokonforme dhe për të mbrojtur shëndetin e kafshëve, sigurinë e zinxhirit ushqimor dhe interesat e fermerëve dhe konsumatorëve./lajmi.net/