AUV asgjëson mbi 5.5 tonë misër nga Serbia, u konstatua nivel i lartë i aflatoksinës B1
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar 5.56 tonë misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar përmbajtje të aflatoksinës B1 mbi kufijtë maksimalë të lejuar. Sipas njoftimit të AUV-së, ndalimi i përdorimit dhe tregtimit të këtij produkti është bërë pas kontrolleve zyrtare për sigurinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshë, transmeton…
Lajme
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar 5.56 tonë misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar përmbajtje të aflatoksinës B1 mbi kufijtë maksimalë të lejuar.
Sipas njoftimit të AUV-së, ndalimi i përdorimit dhe tregtimit të këtij produkti është bërë pas kontrolleve zyrtare për sigurinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshë, transmeton lajmi.net.
Asgjësimi është realizuar më 29 tetor 2026, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së, në tri subjekte ekonomike.
Në kompaninë Agro Com Sh.P.K. në Fushë Kosovë janë asgjësuar 3,270 kilogramë misër, në Thermo-1 Sh.P.K. në Prugoc të Prishtinës 1,040 kilogramë, ndërsa në NTP “Te Hysi” në Shtime janë asgjësuar 1,250 kilogramë.
Aflatoksina B1 është një toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të kontaminojë drithërat, veçanërisht misrin. Ekspozimi i zgjatur ndaj saj mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit.
Rreziku mund të bartet edhe te konsumatorët përmes zinxhirit ushqimor, pasi aflatoksina B1, kur merret përmes ushqimit të kafshëve, mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht.
AUV u ka bërë thirrje fermerëve, prodhuesve dhe tregtarëve që të sigurojnë origjinën dhe gjurmueshmërinë e produkteve, si dhe të mos përdorin apo tregtojnë misër që tejkalon kufijtë e lejuar të kësaj toksine.
Institucioni ka bërë të ditur se kontrollet dhe analizat laboratorike do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të qarkullimit të produkteve që mund të rrezikojnë shëndetin e njerëzve dhe kafshëve./lajmi.net/