Prokuroria deklarohet për vjedhjen e mbi 100 armëve në një depo në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka iniciuar rast për veprën penale “Vjedhja e rëndë”, pas raportimit për vjedhjen e mbi 100 armëve të zjarrit nga një depo në rrugën “Fehmi Agani” në Gjakovë. Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drin Domi, ka konfirmuar për Lajmi.net se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen…

Lajme

31/10/2026 10:59

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka iniciuar rast për veprën penale “Vjedhja e rëndë”, pas raportimit për vjedhjen e mbi 100 armëve të zjarrit nga një depo në rrugën “Fehmi Agani” në Gjakovë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drin Domi, ka konfirmuar për Lajmi.net se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të zbardhjes së rastit dhe identifikimit të personave përgjegjës.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se është inicuar rast për shkak të veprës penale ‘Vjedhja e rëndë’ sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i Shtetit, lidhur me këtë rast, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme me qëllim të ndriçimit të rastit dhe identifikimit të personit/personave të panjohur deri më tani”, ka deklaruar Domi.

Rasti ishte raportuar më 30 tetor, rreth orës 18:00, kur dy ankues kishin njoftuar Policinë se nga një depo e armëve në Gjakovë persona të panjohur kishin vjedhur mbi 100 armë zjarri.

Edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës është konfirmuar se rasti është duke u hetuar.

Raporti i plotë i Policisë së Kosovës:

“Rr. Fehmi Agani, Gjakovë 30.10.2026-18:00. Dy ankuesit meshkuj kosovarë, kanë raportuar se nga depoja e armëve, persona të panjohur kanë vjedhur mbi 100 armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime.”

Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me llojin e armëve të vjedhura apo identitetin e personave të dyshuar. Hetimet nga organet kompetente po vazhdojnë./lajmi.net/