Kjo është gjendja shëndetësore e Erjon Vishkullit që u godit në sy me plumb gome nga policia në protestë

Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka dhënë detaje të reja për gjendjen shëndetësore të Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit që u lëndua në sy gjatë protestës së sotme në Tiranë. Shehaj ka bërë të ditur se e ka vizituar të riun në spitalin e Traumës, ku është informuar nga mjekët dhe familjarët për gjendjen e tij.…

Lajme

24/10/2026 23:49

Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka dhënë detaje të reja për gjendjen shëndetësore të Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit që u lëndua në sy gjatë protestës së sotme në Tiranë.

Shehaj ka bërë të ditur se e ka vizituar të riun në spitalin e Traumës, ku është informuar nga mjekët dhe familjarët për gjendjen e tij. Sipas tij, Vishkulli tashmë i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa pritet të kryejë edhe një operacion tjetër.

“U informova te Trauma si është gjendja e Erjonit, 28-vjeçarit që policia e goditi pabesisht me plumb gome në sy. Takova mjekët dhe familjarët. Erjoni i është nënshtruar një operacioni, do ketë nevojë edhe për një tjetër. Përgjegjësit e kësaj dhune do japin llogari para ligjit, me Edi Ramën në krye”, ka deklaruar Shehaj, transmeton lajmi.net.

Vishkulli u lëndua gjatë protestës së mbajtur sot në kryeqytetin shqiptar, ku pati tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë. Sipas raportimeve, ai u godit në sy nga një plumb gome.

Pas incidentit, protestuesit u përpoqën t’i jepnin ndihmën e parë, ndërsa nga pamjet e publikuara u pa se i riu kishte gjakderdhje në zonën e syrit.

Rasti ka nxitur reagime dhe mesazhe solidariteti nga figura të njohura publike, veçanërisht për shkak të rolit të Vishkullit si drejtues i tifogrupit të Kombëtares Shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi”.

Ngjarja ndodhi në një protestë që fillimisht ishte zhvilluar për kërkesat e studentëve për kushte më të mira, por që u shoqërua edhe me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Përplasjet dhe lëndimi i 28-vjeçarit kanë rikthyer vëmendjen te përdorimi i forcës nga Policia gjatë protestave dhe kërkesat për përgjegjësi ligjore për rastet e lëndimit të pjesëmarrësve./lajmi.net/