Presidentja dekreton marrëveshjen financiare me BE-në, Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro nga IPA 2026–2027

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka dekretuar Ligjin nr. 11/L-016 për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin Shumëvjeçar IPA 2026–2027. Ligji është dekretuar më 20 tetor 2026, me dekretin nr. DL-07/2026, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, raporton lajmi.net. Sipas ligjit, qëllimi është ratifikimi…

Lajme

24/10/2026 23:38

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka dekretuar Ligjin nr. 11/L-016 për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin Shumëvjeçar IPA 2026–2027.

Ligji është dekretuar më 20 tetor 2026, me dekretin nr. DL-07/2026, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, raporton lajmi.net.

Sipas ligjit, qëllimi është ratifikimi i marrëveshjes financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin shumëvjeçar IPA 2026–2027. Marrëveshja dhe shtojcat e saj janë pjesë përbërëse e ligjit, i cili hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare.

Përmes këtij programi, Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro nga Bashkimi Evropian, sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës të 25 shtatorit.

Mjetet financiare janë paraparë të mbështesin reformat dhe zhvillimin institucional të vendit, në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Programi zbatohet përmes Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA), mekanizëm i Bashkimit Evropian që ofron mbështetje për vendet që synojnë anëtarësimin në union.

Fushat që mbështeten përmes programeve IPA përfshijnë forcimin e institucioneve, përmirësimin e qeverisjes, zbatimin e reformave dhe përafrimin e legjislacionit e të standardeve të Kosovës me ato të Bashkimit Evropian.

Ratifikimi i marrëveshjes krijon bazën ligjore për zbatimin e programit financiar IPA 2026–2027, ndërsa fondet synojnë të kontribuojnë në zhvillimin e vendit dhe avancimin e procesit të integrimit evropian./lajmi.net/