Aksidenti në Jabllanicën e Vogël, njëri nga të lënduari në gjendje të rëndë, flasin nga QKUK: Gjendje jo stabile, trajtimi vazhdon në intensiv
Një person ka pësuar lëndime të rënda në një aksident trafiku që ndodhi sot rreth orës 17:20 në fshatin Jabllanicë e Vogël të Pejës, ku mbetën të lënduar dy persona. I lënduari, një burrë i lindur në vitin 1972, fillimisht ishte dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës, por për shkak të gjendjes së…
Lajme
Një person ka pësuar lëndime të rënda në një aksident trafiku që ndodhi sot rreth orës 17:20 në fshatin Jabllanicë e Vogël të Pejës, ku mbetën të lënduar dy persona.
I lënduari, një burrë i lindur në vitin 1972, fillimisht ishte dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në Prishtinë.
Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar për Lajmi.net se pacienti është në gjendje jo stabile dhe ka pësuar politraumë të rëndë.
“Pacient mashkull, i lindur më 1972, i sjellë nga Spitali i Pejës pas një aksidenti komunikacioni. Ka politraumë të rëndë dhe gjendje jo stabile”, ka deklaruar Syla.
Ai ka bërë të ditur se pacientit po i kryhen ekzaminimet e nevojshme në Qendrën Emergjente dhe se trajtimi do të vazhdojë në Mjekimin Intensiv Qendror (MIQ).
“Janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme në Qendrën Emergjente, ndërsa trajtimin do ta vazhdojë në Mjekimin Intensiv Qendror (MIQ)”, ka njoftuar Syla.
Ndërkohë, Njësiti Rajonal i Trafikut është duke ndërmarrë veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te aksidenti./lajmi.net/