64 raste të reja në Zyrën për Mbrojtje të Viktimave brenda një jave, 46 për dhunë në familje

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV) ka trajtuar 64 raste të reja gjatë periudhës 16–23 tetor 2026, ku numri më i madh i tyre lidhet me dhunën në familje. Sipas të dhënave të publikuara nga kjo zyrë, nga 64 rastet e trajtuara, 46 kanë të bëjnë me dhunën në familje, ndërsa janë regjistruar edhe…

Lajme

23/10/2026 16:20

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV) ka trajtuar 64 raste të reja gjatë periudhës 16–23 tetor 2026, ku numri më i madh i tyre lidhet me dhunën në familje.

Sipas të dhënave të publikuara nga kjo zyrë, nga 64 rastet e trajtuara, 46 kanë të bëjnë me dhunën në familje, ndërsa janë regjistruar edhe raste të tjera të rënda penale, transmeton lajmi.net.

Gjatë kësaj periudhe janë trajtuar një rast vrasjeje, dy raste të vrasjes në tentativë, një rast i krimeve të luftës, dy raste të kanosjes, një rast i degradimit të integritetit seksual dhe dy raste të dhunimit.

Po ashtu, janë evidentuar tri raste sulmi, katër raste të lëndimit të lehtë trupor, një rast i keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijës dhe një rast i mospërfilljes së gjykatës.

Përveç trajtimit të rasteve, mbrojtësit e viktimave kanë marrë pjesë në 74 seanca gjyqësore dhe 18 seanca në prokurori.

Gjatë së njëjtës periudhë janë shqiptuar shtatë aktgjykime dënuese, një aktgjykim refuzues dhe një aktgjykim lirues. Gjithashtu, janë paraqitur një ankesë dhe 10 parashtresa, si dhe janë realizuar tri përfaqësime në polici dhe një në strehimore.

Sa i përket masave mbrojtëse, gjashtë kërkesa për urdhër mbrojtës janë ende në proces, gjashtë të tjera janë aprovuar, ndërsa një kërkesë është tërhequr nga pala.

ZMNV-ja ka ofruar edhe 36 këshilla juridike dhe ka regjistruar 15 deklarata të pëlqimit të viktimës. Ndërkohë, janë bërë referime të rasteve në Qendrën për Punë Sociale (QPS), në strehimore dhe në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF).

Në raport janë evidentuar gjithashtu 17 shënime zyrtare për periudhën njëjavore.

Të dhënat janë bërë publike nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, e cila ofron mbështetje dhe përfaqësim për viktimat gjatë procedurave penale dhe gjyqësore./lajmi.net/