Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, Arnaud Dusaucy.
Haxhiu i ka uruar mirëseardhje ambasadorit të ri belg dhe sukses në misionin e tij diplomatik në Kosovë.
Gjatë takimit, ajo ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të këtij shteti ndaj Kosovës.
“Kosova dhe Belgjika kanë ndërtuar ndër vite marrëdhënie të shkëlqyera, të mbështetura në miqësi, partneritet dhe përkrahjen e vazhdueshme të Belgjikës për vendin tonë, që nga periudha e luftës, njohja e hershme e pavarësisë e deri te proceset e shtetndërtimit dhe integrimit euroatlantik”, ka thënë Haxhiu.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për mundësitë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit politik dhe ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve, si dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.
Haxhiu ka shprehur bindjen se gjatë mandatit të ambasadorit Dusaucy do të avancohen edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
“Shpreha bindjen se gjatë mandatit të Ambasadorit Dusaucy do t’i avancojmë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona dhe do të hapim fusha të reja bashkëpunimi në interes të qytetarëve tanë”, ka deklaruar Haxhiu. /Lajmi.net/