“24 hektarë për hatrin tënd” – Rashiq mundohet të sqarohet për deklaratën e tij, thotë se e ngatërroi me vizitën e patriarkut në Kosovë
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq përmes një deklarate të tij, ka sjell debat publik dhe reagime të shumta. Në një intervistë për radion lokale, Radio Gorazhdevci, Nenad Rashiq tha se kryeministri Albin Kurti i ka dhënë Manastirit të Deçanit 24 hektarë për “hatër të tij”. “Do ta them, ndoshta pa modesti, por ndodhi…
Lajme
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq përmes një deklarate të tij, ka sjell debat publik dhe reagime të shumta.
Në një intervistë për radion lokale, Radio Gorazhdevci, Nenad Rashiq tha se kryeministri Albin Kurti i ka dhënë Manastirit të Deçanit 24 hektarë për “hatër të tij”.
“Do ta them, ndoshta pa modesti, por ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Për vite me radhë kam shpjeguar pse ishte e rëndësishme. Në fund, kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por e di – për shkakun tënd” – deklaroi Rashiq.
“Është një fjalë dhe një rast tjetër që ka ndodhur me të vërtetë për viziten e patriarkut ne vitin 2023, mos gabofsha. Kështu që në kete rast ka ndodhur një ngatërrim i fjalëve”, ka thënë Rashiq për lajmi.net.
Kur është pyetur se a kishte të bënte deklarata e tij me 24 hektarët, Rashiq e ka mohuar.
“Jo, jo! Atë koment kur e dhashë deklaratën e kam krijuar konfuzion dhe kam perdorur një rast tjetër në vend të ketij rasti. Pra aty është një gabim”, ka thënë Rashiq për lajmi.net/
Në lidhje me deklaratën e tij, sqarim ka dhënë dje edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka. Edhe ai si Rashiq, ka thënë se deklarata e tij lidhej me vizitën e patriarkut në Kosovë dhe jo me 24 hektarët.
“Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, siç mund ta shihni në fotografinë më poshtë”, ka shkruar Manxhuka.
Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, vlerësoi se deklarata e Rashiqit tregon se Qeveria e Kurtit ndjek politika me “logjikë feudale”, sepse territori i shtetit trajtohet si pronë që jepet “për hatër” të dikujt.