Arteta konfirmon bisedimet me Sakan për rinovimin e kontratës
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka konfirmuar se klubi së shpejti do të ulet me Bukayo Saka për të diskutuar një zgjatje të kontratës.
Sport
Anglezi është ndër yjet kryesorë te Arsenal, ku ka kontribuar me gjashtë gola dhe katër asistime në këtë sezon në Premierligë, transmeton lajmi.net.
Marrëveshja ekzistuese e Saka me “Emirates” do të zgjasë deri në verën e vitit 2024, por ka pasur spekulime që e lidhin me kalimin te Liverpool ose Manchester City nëse Arsenali dështon të kualifikohet në Ligën e Kampionëve.
20-vjeçari ka folur për dashurinë e tij për Arsenalin mes lidhjeve të largimit, megjithatë dhe Arteta tani ka zbuluar se së shpejti do të zhvillohen bisedime për ta mbajtur atë në klub për më gjatë.
“Është një bisedë që do të kemi me lojtarin, pastaj agjentin, familjen e tij, që do të jenë gjithashtu jashtëzakonisht të rëndësishme, kështu që të gjithë janë në të njëjtin bord”.
“Natyrisht, dëshira jonë është ta mbajmë Bukayo sa më gjatë, sepse jemi vërtet të lumtur. Ai është pjesë e klubit tonë, ADN-së sonë, po rritet, po piqet. Rëndësia në ekip është e padiskutueshme dhe ne duam ta mbajmë, është talenti ynë më i mirë, kjo është e sigurt”.
Saka ka fituar tashmë FA Cup dhe Community Shield me Arsenalin dhe ka bërë 114 paraqitje për klubin në total, duke regjistruar 18 gola dhe 26 asistime.
Përveç kontratës së re të Saka-s, Arsenali raportohet se po planifikon gjithashtu zgjatje të kontratës për dy yjet e tjerë si Gabriel Martinelli dhe William Saliba./Lajmi.net/