Jepet alarmi në jug të SHBA nga uragani “Nate”
Katër shtete jugore amerikane kanë shpallur gjendjen e emergjencës, ndërsa uragani “Nate” po merr fuqi në rrugën e tij drejt bregut të Gjirit të Meksikës.
Bota
Vendet që dhanë alarmin për uragani si dhe urdhëruan shumë evakuime janë Louisiana, Mississippi, Alabama dhe disa zona në Florida. Mediat amerikane shkruajnë se masat prekin edhe disa pjesë të qytetit të Nju Orleans, i cili u shkatërrua 12 vjet më parë nga uragani “Katrina”.
Autoritetet amerikane thanë se po merren të gjitha masat për të përballur stuhinë dhe përvoja e shkuar me këto fenomene natyrore bën që të mos ketë vend për panik.
Ndërkohë “Nate” filloi si stuhi tropikale, aktualisht është uragan i kategorisë së parë dhe pritet të godasë bregdetin amerikan si stuhi e kategorisë së dytë. Autoritetet përkatëse kanë njoftuar se “Nate” nuk është aq i fortë sa paraardhëset e tij “Irma” dhe “Maria”, por sidoqoftë do të sjellë erëra të fuqishme, reshje të dendura dhe batica të forta.
Veç masave në tokë, masa po merren edhe në det, ku kompanitë e naftës po evakuojnë punonjësit e tyre nga platformat naftënxjerrëse në gjirin e Meksikës, pasa se ti drejtohej SHBA.
BBC shkruan se uragani “Nate” vrau 25 persona në Nikaragua, Kosta Rika dhe Honduras, vende që i goditi në formën e një stuhie tropikale.
Në Amerikën Qendrore “Nate” solli reshje të dendura, rrëshqitje dheut dhe përmbytje që bllokuan rrugët, shkatërruan ura e shtëpi, duke lënë me mijëra pa energji elektrike, ujë të pijshëm dhe strehë.