Deklaratat e Haradinajt e hutojnë Grabovcin
Deklaratat e fundit të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e kanë hutuar Adem Grabovcin, shef i grupit parlamentar të PDK-së.
Lajme
Deputeti që njihet për deklarata ironike, ka thënë se ka pasur dilema nëse ky është viti 2015 apo 2018, kur e ka dëgjuar para disa ditësh kreun e AAK-së tek ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen shumë shpejt, raporton TV Dukagjini.
Sipas Grabovcit, koalicioni qeverisës është duke funksionuar mirë dhe nuk ka arsye për zgjedhje.
“Zgjedhjet ne i presim më 2018. Është normale që opozita në ditën e parë pas humbjes së zgjedhjeve, normalisht të kërkojë zgjedhje të reja, por asnjë vend nuk mund të mbajë zgjedhje veç pse ka dëshirë dikush. Nuk janë çështje dëshirash organizimi i zgjedhjeve, por janë disa rregulla që duhet respektohen. Prandaj zgjedhjet mbahen në përputhje me rrethanat apo aktualitetin e ri apo kur është nevoja për zgjedhje të parakohshme. Ne nuk shohim asnjë arsye që për momentin të kemi zgjedhje të parakohshme e hiq më pak të jashtëzakonshme”, ka thënë Grabovci.
Se zgjedhje të reja nacionale nuk do të ketë në shtator, nuk ka fije dyshime as shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri.
“Koalicioni si i tillë nuk jep shumë shpresa për të tjerët se mund të ketë zgjedhje shpejtë, ne e kemi mandatin. Ai është i plotë unë nuk mund të paragjykojë asgjë. Gjasat janë minimale, mos të them kurrfarë që zgjedhje të tilla të. Por kjo është normale, është vullnet i një subjekti politikë. Ne nuk mund t`ua mohojmë dëshirat apo deklaratat”, ka thënë Beqiri në një prononcim për TV Dukagjinin.
Ai ka pasur edhe një porosi për subjektet opozitare të cilat i ka ftuar që të shohin se si po qeverisin në komuna. Është ndalur veçanërisht te Lëvizja Vetëvendosje e cila udhëheq me kryeqytetin e që sipas Beqirit nuk po punon asgjë.
Megjithatë pos njoftimeve të shumta për paqëndrueshmërinë e koalicionit aktual dhe deklaratave të liderit të AAK-së, edhe Kadri Veseli, shef i Adem Grabovcit në parti, ka folur për zgjedhje javë më parë.
Zëvendëskryetari i PDK-së ka thënë se do të ketë zgjedhje në 2016 nëse Hashim Thaçi nuk bëhet president