Shqipe Mehmeti-Selimi i bën thirrje Prokurorisë: Veproni, u bë thirrje për ekzekutimin e bashkëshortit tim

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka thënë të dielën se një person në rrjetet sociale ka bërë thirrje direkte për ekzekutimin e bashkëshortit të saj, Rexhep Selimi, i dënuar nga Gjykata Speciale. Mehmeti-Selimi, ka thënë se kjo thirrje nuk duhet të kalojë pa u trajtuar. Ajo i ka bërë thirrje Prokurorisë që të…

Lajme

04/10/2026 19:41

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka thënë të dielën se një person në rrjetet sociale ka bërë thirrje direkte për ekzekutimin e bashkëshortit të saj, Rexhep Selimi, i dënuar nga Gjykata Speciale.

Mehmeti-Selimi, ka thënë se kjo thirrje nuk duhet të kalojë pa u trajtuar.

Ajo i ka bërë thirrje Prokurorisë që të veprojnë menjëherë.

Postimi i plotë:

Sot, përmes raportimeve në mediat e shkruara, u njoftova për një koment publik në rrjetet sociale, në të cilin bëhet thirrje e drejtpërdrejtë për ekzekutimin e bashkëshortit tim, Rexhep Selimit.

Si bashkëshorte dhe si qytetare e Republikës së Kosovës, e konsideroj këtë një çështje jashtëzakonisht serioze, e cila nuk mund dhe nuk duhet të kalojë pa u trajtuar nga institucionet përgjegjëse.

Mospajtimet, bindjet politike apo qëndrimet personale të askujt nuk mund të shërbejnë si justifikim për thirrje publike për vrasjen e një njeriu. Liria e shprehjes nuk mund të përdoret si mbulesë për nxitjen e dhunës.

Prandaj, i bëj thirrje publike Prokurorisë së Shtetit që, në kuadër të kompetencave të saj, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetimin e këtij rasti, identifikimin e personit që qëndron pas komentit dhe vlerësimin e përgjegjësisë eventuale penale.

Nuk kërkoj asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa zbatimin e ligjit dhe trajtimin me seriozitetin e duhur të një thirrjeje publike për marrjen e jetës së një njeriu. Heshtja dhe normalizimi i një gjuhe të tillë janë të papranueshme. Institucionet e drejtësisë kanë përgjegjësinë të sigurojnë që këto raste të trajtohen në përputhje me ligjin, pavarësisht se ndaj kujt drejtohen