Yjet që nuk do luajnë në javën e parë të Ligës së Kampionëve

Nesër do zhvillohen ndeshjet e para të Ligës së Kampionëve për sezonin e ri 2014-15, ndërsa më poshtë i keni yjet që nuk do luajnë në këto ndeshje për shkak të lëndimeve.

Sport

15/09/2014 14:20

Bayern Munich dhe Borussia Dortmund janë skuadrat të cilat kanë një numër të madh të lojtarëve të lënduar, ndërsa skuadra franceze, PSG është duke vuajtur një krizë në fazën defanzive.

Bastian Schweinsteiger, Javier Martinez, Tiago dhe Holger Badstuber janë lojtarët në të cilët trajneri i Bayern Munich, Pep Guardiola, nuk do të mund të llogarisë për ndeshjen kundër Manchester Cityt.

Skuadra e Jurgen Klopp, Borussia Dortmund, nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e yllit të skuadrës, Marco Reus. Përpos tij, në takimin kundër Arsenalit do të mungojë edhe Olivier Kirch, Jakub Blaszczykowski, Ilkay Gundogan dhe Nuri Sahin. Mats Hummels është ende në dyshim.

Mathieu Debuchy do të jetë lojtari i Arsenalit i cili do të mungojë në ndeshjen e nesërme kundër Borussia Dortmundit.

Gjendja te skuadra e Barcelonës është mjaft e mirë. Xavi pritet të startojë ndeshjen e parë të këtij sezoni, ndërsa Dani Alves gjithashtu është rikuperuar plotësisht dhe është i gatshëm për lojë. Marc-Andre ter Stegen dhe Adriano janë të gatshëm gjithashtu për ndeshjen kundër APOEL-it.

PSG ka marrë lajme katastrofale nga stafi mjekësor para ndeshjes kundër Ajaxit. David Luiz dhe Serge Aurier janë lojtarët të cilët pritet të mungojnë në takimin kundër holandezëve, duke mos harruar kështu edhe Thiago Silvan, mungesa e të cilit është konfirmuar edhe zyrtarisht.